Universiteti Shtetëror i Sam Houstonit në ShBA themelon bursë për nder të Heroit të Kosovës, Bahri Fazliu

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e Heroit të Kombit, Bahri Fazliu (Gzimi), në Universitetin Sam Houston State University në Shtetet e Bashkuara është themeluar “Bahri Fazliu (Gzimi) Memorial Scholarship”. Kjo bursë është krijuar falë kontributit të Alban Fetahut, ish-student i këtij universiteti, dhe bashkëshortes së tij, Vjosa Z. Fetahu, ish-studente e Universitetit të…

Lajme

10/11/2025 20:18

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën e Heroit të Kombit, Bahri Fazliu (Gzimi), në Universitetin Sam Houston State University në Shtetet e Bashkuara është themeluar “Bahri Fazliu (Gzimi) Memorial Scholarship”.

Kjo bursë është krijuar falë kontributit të Alban Fetahut, ish-student i këtij universiteti, dhe bashkëshortes së tij, Vjosa Z. Fetahu, ish-studente e Universitetit të Prishtinës. Qëllimi i bursës është të nderojë kujtimin e Bahri Fazliut dhe të mbështesë studentët që mishërojnë vlerat për të cilat ai jetoi dhe u flijua.

Bahri Fazliu, i njohur edhe me pseudonimin “Gzimi”, ishte poet, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Me vetëm 26 vjet jetë, ai la pas vetes një trashëgimi të pasur frymëzimi, shkrimesh dhe qëndrese, duke u bërë simbol i guximit, dijes dhe dashurisë për atdheun. Ai ra heroikisht më 7 maj 1998, në luftën për lirinë e Kosovës, duke u bërë frymëzim për brezat që erdhën pas.

Përmes kësaj burse përkujtimore, emri dhe ideali i Bahri Fazliut do të jetojnë përgjithmonë edhe në auditorët e një prej universiteteve prestigjioze amerikane, si dëshmi e respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e tij në rrugën drejt lirisë.