Universiteti i Tiranës pezullon mësimin për një javë
Me anë të një njoftimi për shtyp, Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka bërë të ditur se është marrë vendimi që të pezullohet mësimi në Universitetin e Tiranës deri në datën 6 dhjetor, pas situatës së krijuar nga tërmeti i së martës.
Lajme
“Në vijim të Urdhrit nr. 21, datë 26.11.2019, duke ndjekur me shumë shqetësim dhe me shumë vëmendje situatën aktuale, tepër të rënduar edhe nga ana psikologjike, deri në qetësimin e saj dhe garantimin e sigurisë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor dhe më gjerë, në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës, urdhëroj pezullimin e procesit mësimor deri në datën 6 Dhjetor 2019”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Mynyr Koni.
Një ditë më parë, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi në Facebook se ende nuk ka një datë se kur do të nisë procesi mësimor në shkolla.