Universiteti i Gjakovës premton fakultete të reja sipas nevojave të ekonomisë

Profesorë, udhëheqës arsimorë, asistentë, studentë e figura të larta të politikës, arsimit, shkencës, kulturës dhe artit nga Gjakova e qendra tjera të Kosovës, sot bashkërisht kanë kremtuar dyvjetorin e themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Lajme

09/03/2015 20:22

Në këtë dyvjetor, e para e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot më shumë se asnjëherë tjetër “ndjejmë frytet e kontributeve të gjeneratave të tëra për avancimin e arsimit si në Komunën e Gjakovës, ashtu edhe të gjitha trevave shqiptare”, citohet në komunikatën e Komunës së Gjakovës.

“Rëndësia e këtij Universiteti, për Gjakovën është shumë domethënëse, pasi që nga ky vend shumë mësues, profesorë dhe intelektualë përhapen shkëndijat e para të dijes gjithandej trojeve shqiptare. Duke kujtuar këtë rrugëtim, pesha e përgjegjësisë normalisht që bie në të sotmen, e cila padyshim se do të jetë nxitës i së nesërmes për shumë studentë, të cilët do i kontribuojnë vendit tonë”, ka spikatur Kusari-Lila.

Ajo në këtë rast ka shtuar se ne si Komunë shprehim gatishmërinë që bashkërisht me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të angazhohemi që të përmirësojmë cilësinë, të bashkëpunojmë në ngritjen e kampusit të ri universitar. Pasurimi i fondit të fakulteteve me drejtime të reja , konform kërkesave të zhvillimit të komunës, rajonit dhe vendit, do t’i kontribuojë mënyrës që të jemi dhuruesit e vazhdueshëm të dijes, mirëqenies dhe zhvillimit, tha ndër të tjera kryetarja e Gjakovës.

Hasan Muja, ud. i rektorit të Universitetit në Gjakovë, ka paraqitur një historik të shkurtër të zhvillimit të shkollimit të lartë në Gjakovë. Muja ka thënë se po punohet që sa më shumë të krijohen programe me fakultete të reja të nevojshme dhe të lidhura me ekonomin dhe tregun e punës.

Me këtë rast u dorëzuan edhe mirënjohje për kontribuesit e themelimit të këtij universiteti, Mimoza Kusari-Lila, ish-rektori prof.dr. Bajram Nura, prof.dr. Isa Elezaj, prof. Dr Kastriot Buza, dr. Gazmend Qorraj dhe ish-dekani i Fakultetit të Mjekësisë, dr. Ali Iljazi. (RTK)