“Unë njoh ligjet e Francës, jo Kuranin”

Një raport i Euronews, i realizuar në vitin 2012, tregon se Stephane Charbonnier, kryeredaktor i revistës “Charlie Hebdo”, ndaj së cilës u krye sot akti terrorist në Paris, nuk e kishte ndërmend që të zmbrapset nga kërcënimet që atij dhe kolegëve të tij i vinin nga grupet radikale islamike.

Lajme

07/01/2015 17:29

Kryeredaktori Charbonnier dhe tre kolegë të tij, redaktorët e identifikuar sipas mediave franceze si Cabu, Tignous dhe Wolinski, janë katër nga 12 personat e vrarë gjatë sulmit terrorist që u krye në orën 11:20 të mërkurën, në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo” në qendër të kryeqytetit francez.

Dy burra të maskuar dhe me automatikë sulmuan revistën në kohën kur po mbahej mbledhja e redaksisë, duke lëshuar breshri të automatikut në zyrat e “Charlie Hebdo”-s, duke lënë të vrarë 12 persona, ndërsa të plagosur 10 të tjerë, pesë prej të cilëve raportohet të jenë në rrezik për jetën.

Gjithçka filloi në nëntor të vitit 2011, kur revista publikoi një karikaturë të Profetit Muhamed, ndërsa një ditë më vonë asaj iu vu zjarri, edhe pse edhe më parë kishte edituar karikatura tallëse të liderëve botërorë dhe figurave të njohura të besimeve tjera fetare, siç ishin edhe ato për Jezusin.

Ndërsa karikatura e fundit, e javës së kaluar, që u botua në revistën “Charlie Hebdo”, ishte ajo e liderit të “Shtetit Islamik”, Ebu Bekr el-Bagdadi, i cili nga autoritetet franceze dyshohet të jetë nxitësi dhe organizatori i këtij sulmi terrorist.

Në raportin e Euronews të vitit 2012 të bërë rreth shtimit të masave të sigurisë ndaj stafit të revistës, kryeredaktori i vrarë, Charbonnier, shpjegon në këtë raport pse kishte vendosur të editojë karikaturën e Profetit Muhamed dhe pse nuk u kishte frikë kërcënimeve që i vinin nga radikalët islamikë.

Charbonnier, në emër të lirisë së të shprehurit, të garantuar nga shteti i tij, thotë se asnjë subjekt nuk është i paprekshëm, përfshi religjionet dhe siç thotë ai, përfshi edhe Profetin Muhamed.  

“Charlie Hebdo nuk është revistë që nxitë urrejtje, por nxitë ngritjen e vetëdijes dhe kritikës përballë konformizmit”, kishte thënë thotë Charbonnier përpara gazetarëve, duke shtruar pyetjen: “Pra, a mund të karikaturojmë Profetin Muhamed në Francë?”.   

“Po, ne mund të karikaturojmë këdo në Francë. Ne nuk kërkojmë nga myslimanët të qeshin me karikaturat tona, por ata nuk mund të na tregojnë ne se cilin ligj duhet ta ndjekim. Unë jetoj duke zbatuar ligjet franceze, nuk jetoj nën ligjin e Kuranit”.

Kryeredaktori Charbonnier, i cili ishte zotuar se nuk e kishte ndërmend të zmbrapsej nga kërcënimet, kishte deklaruar se problemi nuk qëndron tek një gazetë satirike, por tek islami radikal.

“Kur ne kritikojmë ashpër ekstremistët katolikë, askush ne merret me këtë çështje, por kërkohet nga ne që të mos tallemi me fundamentalistët myslimanë. E po në këtë vend ka një ligj që edhe ata duhet ta respektojnë”, kishte thënë ndër të tjera kryeredaktori Charbonnier, i vrarë sot në sulmin terrorist në Paris. /lajmi.net/