Ulje drastike te pensionet invalidore – kategoria me tkurrjen më të madhe në tetor
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë ndryshime të theksuara në shumicën e skemave të përfitimeve. Të dhënat vjetore (tetor 2025 krahasuar me tetor 2024) tregojnë se skemat me rënien më të madhe janë ato të pensioneve invalidore, të cilat kanë shënuar një ulje…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë ndryshime të theksuara në shumicën e skemave të përfitimeve.
Të dhënat vjetore (tetor 2025 krahasuar me tetor 2024) tregojnë se skemat me rënien më të madhe janë ato të pensioneve invalidore, të cilat kanë shënuar një ulje të thellë prej 26,8%, duke e bërë këtë kategorinë me tkurrjen më të madhe ndër të gjitha skemat pensionale e sociale, transmeton lajmi.net.
Rënie të konsiderueshme ka pasur edhe pensionet e Trepçës (-20,6%), pensionet familjare (-11,2%), ndihma sociale (-10,9%), si dhe skemat për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,8%). Edhe pensionet kontribut-paguese të moshës kanë regjistruar një rënie të lehtë prej (-1,7%).
Në anën tjetër, disa skema kanë pasur rritje të ndjeshme të përfituesve. Më e theksuara është skema e përkrahjes financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, me një ngritje prej 11,9%, duke e bërë atë një nga kategoritë me rritjen më të lartë. Rritje është regjistruar edhe te pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike (11,6%), pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,0%), pensionet bazike të moshës (7,1%), si dhe kompensimet për punëtorët e arsimit të viteve 1990–1999 (5,0%). Përfitime më të lehta rritëse kanë shënuar pensionet për persona me aftësi të kufizuara (3,6%), kompensimet për personat e verbër (0,4%), pensionet e TMK-së (1,2%) dhe pensionet e veteranëve të luftës (0,4%).
Të gjitha këto të dhëna reflektojnë lëvizje të forta brenda sistemit të mbrojtjes sociale, duke treguar se ndërkohë që disa kategori po rriten gradualisht, të tjerat – veçanërisht pensionet invalidore – po përballen me rënie të ndjeshme në numrin e përfituesve./lajmi.net/