Ukraina sjell të papritura edhe për Kosovën
Situata e rënduar politike në Ukrainë mund të sjellë një fazë të papriturash për Kosovën, thotë Zëvendësministri Petrit Selimi. Por, ai mendon se Kosova është një storie suksesi, prandaj tash vëmendja po përqendrohet në vendet tjera.
Lajme
Me pushtimin e terminalit të trajekteve në lindje të Krimesë nga forcat ruse, situata në Ukrainë është bërë edhe më e ndërlikuar.
Për këtë, Kryeministri rus Vladimir Putin kishte thënë se nuk tërhiqet nga Krimea, ndërsa homologu i tij amerikan, Barack Obama, e kishte konsideruar këtë vendim si të gabuar dhe keqbërës për vetë Rusinë.
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, duke folur në InfoMagazinë të Klan Kosovës, ka deklaruar se Kosova është një storie suksesi, prandaj, sipas tij, tash vëmendja po përqendrohet në vendet tjera, derisa gjërat ende s’kanë përfunduar në Ballkan.
“Ballkanit nuk i konvenon çfarëdo jostabiliteti”.
“Po hymë në një situatë që nuk është e mirë as për Kosovën. Neve na konvenon një relaksim i situatës. Fokusi dhe shpërqendrimi Europian i NATO’s kah Ukraina, zhvendosen nga Ballkani, prandaj duhet të përgatitemi që po hymë në njëfarë faze të papritshme”, ka thënë Selimi, në InfoMagazinë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka pohuar se shtimi i konflikteve në botë e lë Kosovën të fundit për t’iu zgjidhur çështja e saj politike.
“Mediat nuk po raportojnë që ka ndonjë situatë të krahasueshme. Ne me kaçikun tonë nuk do të dalim të parët me akuza ndaj Rusisë”.
“Jemi bërë bira e fundit diplomatike, për faktin që ka më shumë situata të rëndësishme. Askush nuk po i përmend shumë sirianë që po vdesin tash e sa vjet. Njerëzit momentalisht janë pa kulm mbi kokë”.
“Asnjë vit s’po vie i njëjtë. Vjet ndodhi Siria, tash Ukraina. Duke hyrë në BE a në NATO, do të afrohet koha kur edhe Kosovës do t’i pritet të japë kontribut në reagime. Atëherë duhet jo më të dërgojmë deklarata me shkrim”, ka thënë Petrit Selimi për Klan Kosova.