Ujkani e fton Milanovicin të luajë për Kosovën
Samir Ujkani ia ka bërë një ftesë interesante bashkëlojtarit të tij te Palermo, Milan Milanovic. Portieri kosovar e ka ftuar shokun e tij të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. Futbollisti serb është lindur në Mitrovicë dhe ka të drejt të luajë për ekipin e Albert Bunjakit. Për këtë, portieri vushtrrias nuk sheh arsye se përse…
Sport
Samir Ujkani ia ka bërë një ftesë interesante bashkëlojtarit të tij te Palermo, Milan Milanovic. Portieri kosovar e ka ftuar shokun e tij të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.
Futbollisti serb është lindur në Mitrovicë dhe ka të drejt të luajë për ekipin e Albert Bunjakit. Për këtë, portieri vushtrrias nuk sheh arsye se përse mbrojtësi, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe në Crvena Zvezda e Lokomotiv Moska, të mos luajë për vendin e tij.
“Përse nuk luan për Kosovën? Je lindur atje”, e ka pyetur Ujkani, Milanovicin. Mirëpo, përfaqësuesi shqiptar, i cili mbrojti për Kosovën në miqësore me Haitin, e ka marrë menjëherë përgjigjen e prerë.
Sigurisht, futbollisti me prejardhje nga Leposaviçi, nuk e ka ndërmend të luajë për Kosovën dhe e ka refuzuar ftesën që ia bëri portieri vushtrrias, duke kërkuar që mos t’i bëhet më një pyetje e tillë, pasi sipas tij, Ujkani e di edhe vetë përgjigjen.
Por, kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet në mes tyre janë të zbehta, përkundër faktit se u përkasin dy nacionaliteteve të hasmuara historikisht njëra me njëra tjetrën.
“Fakti se ai është shqiptar, e unë serb, për mua nuk ka kurrfarë rëndësie apo problemi. Ne jemi mbi të gjitha miq”, ka theksuar 22 vjeçari, i cili është pjesë e Palermos nga viti 2011.