Uji përfshin vendpunishten e urës së re të Ibrit në Mitrovicë – dyshohet se brana është lëshuar qëllimshëm

Uji ka përfshirë vendpunishten ku po ndërtohet ura e re e lumit Ibër në Mitrovicë, gjatë natës së kaluar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje dhe materiale ndërtimi. Shkaku i saktë i vërshimit ende nuk është bërë i ditur. Në pamjet e publikuara shihet gjendja e vendpunishtes dhe dëmet që ka lënë pas rrjedha…

Lajme

01/11/2025 10:28

Uji ka përfshirë vendpunishten ku po ndërtohet ura e re e lumit Ibër në Mitrovicë, gjatë natës së kaluar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje dhe materiale ndërtimi.

Shkaku i saktë i vërshimit ende nuk është bërë i ditur. Në pamjet e publikuara shihet gjendja e vendpunishtes dhe dëmet që ka lënë pas rrjedha e ujit, raporton lajmi.net

Pronari i kompanisë ndërtuese, Jahir Nimani, ka deklaruar se beson që brana është lëshuar qëllimshëm nga Ujmani me qëllim dëmtimin e punimeve.

Ai ka theksuar se shumë pajisje dhe materiale janë dëmtuar, ndërsa në vendngjarje ka dalë edhe Policia e Kosovës, e cila ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim zyrtar.

Lajmi.net tashmë ka provuar të kontaktojë me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar ndonjë informacion me të detajuar.

Ndërkohë, njoftimi i vetëm nga “Ibër-Lepenci” deri më tani është ai drejtuar ujësjellësit të Mitrovicës, ku bëhet e ditur se sot do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc”, gjë që mund të shkaktojë mungesë uji në zonat e larta të qytetit dhe në fshatrat përreth./Lajmi.net/