Uji i pijshëm po shihet si problem për 5 fshatrat e Ferizajt

Pesë fshatra të komunës së Ferizajt, Fshati i Vjetër, Bibaj, Zllatar, Sojevë e Dardani, po përballën me mungesën e ujit të pijes, problem ky i kahershëm që po i përcjellë banorët e këtyre fshatrave.

Lajme

01/02/2016 19:13

 

Derisa banorët ankohen se janë lënë pas dore nga institucionet lokale të pushtetit, zyrtarë komunal thonë se këtij problemi po i vije fundi, duke paralajmëruar se gjatë këtij viti do të nisin punimet në rrjetin e ujësjellësit të këtyre fshatrave.

Se pushteti lokal prej vitesh i ka anashkaluar këto fshatra nga investimet kapitale, e thonë banorët e këtyre fshatrave por edhe përfaqësuesit e opozitës që vijnë nga kjo zonë.

Këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin komunal të Ferizajt, Sylejman Zeka thotë se pushteti lokal kishte anashkaluar investimet kapitale për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në këto fshatra.

Sipas tij, rreth kësaj çështje jo pak herë marrin ankesa nga banorët, mirëpo ekzekutivi i Ferizajt duhet të angazhohet më shumë për t’i nisur investimet për ndërtimin e ujësjellësit në këto pesë fshatra.

“Ka shumë ankesa nga banorët e këtyre fshatrave të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër. Ndërkaq, pushteti lokal nuk po interesohet fare për t’i nisur investimet në këtë projekt, e në anën tjetër investimet e tilla janë të domosdoshme për qytetarët. Përveç këtyre pesë fsha trave që nuk kanë fare rrjet të ujësjellësit, kemi edhe shumë fshatra të tjera që e kanë të instaluar rrjetin ujësjellësit por nuk kanë ujë të pijshëm si pasojë e dështimeve të ndryshme”, ka thënë Zeka.

Edhe Besart Hyseni, banor i Fshatit të Vjetër ka deklaruar se po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, ndërkaq rreth kësaj çështje thotë se ishin ankuar disa herë në komunë.

“Këtë problem shumë herë e kemi ngritur gjatë viteve të fundit, si në debate publike të organizuara nga komuna, por edhe në zyrën e infrastrukturës në Ferizaj, mirëpo gjithmonë kemi marrë vetëm premtime gojore se do të shqyrtohen kërkesat e banorëve dhe do të ndërtohet rrjeti i ujësjellësit, mirëpo në fakt asgjë konkrete deri më tashti”, është ankuar Hyseni.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë, Gafurr Ilazi, ka bërë të ditur se brenda këtij viti do të fillojnë punimet në rrjet të ujësjel lësit në këto pesë fshatra.

Sipas tij, Fshati i Vjetër dhe Bibaj kanë hyrë në fazën e një projekti të cilin po e implementon CDI-ja, andaj pritet së shpejti të kalohet në proceset e tenderimit, ndërkaq për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Dardani, Zllata dhe Sojevë, komuna ka aplikuar në një kredi të butë.

“Për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin e Vjetër dhe fshatin Bibaj kemi arritur të marrim investime nga zyra për zhvillim nga Qeveria zvicerane nëpërmjet CDI-së i cili projekt do të finalizohet brenda këtij viti. Ndërkaq për shkak të kufizimeve buxhetore jemi detyruar të aplikojmë në një kredi të butë për të investuar në rrjet të ujësjellësit për fshatin Dardani, Zllata dhe Sojevë”, ka thënë Ilazi./kp