Udhëzimi i ri për gradimin e policëve, kërkohet kujdes në avancime – dyshime për fushatë

Pas dhjetë vitesh pritje, policët do të mund të aplikojnë për të marrë grada dhe avancim në pozita. Kjo do t’iu mundësohet atyre pas nënshkrimit të Udhëzimit Administrativ për procesin e Gradimit, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha. Sipas këtij udhëzimi, të gjithë policët me përvojë mbi 10-vjeçare mund të marrin dy grada…

Lajme

25/05/2026 20:54

Pas dhjetë vitesh pritje, policët do të mund të aplikojnë për të marrë grada dhe avancim në pozita.

Kjo do t’iu mundësohet atyre pas nënshkrimit të Udhëzimit Administrativ për procesin e Gradimit, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Sipas këtij udhëzimi, të gjithë policët me përvojë mbi 10-vjeçare mund të marrin dy grada për një herë, nga polic i lartë në atë të togerit.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj e cilëson këtë si veprim në kohë fushate për përfitim elektoral.

“Ministri Sveçla është thirrë në faktin që Policia e Kosovës nuk ka pasë që 10 vjet gradim mirëpo ju e dini që gradimi për rreshter ka dështuar në mes të vitit 2024 meqenëse procesi ka qenë i komprometuar nga të gjithë në Policinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Është bërë një raport nga Inspektorati Policor me kërkesë të ministrit është ndryshuar raporti, dmth edhe raporti ka qenë i modifikuar, nuk janë të paraqitura në raport të gjeturat të cilat ne i kemi diskutuar në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje me dyer të mbyllura”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, mundësia që të aplikojnë për grada edhe policët me vetëm dy vite përvojë pune, është tentativë për blerje votash.

“Është një fushatë e madhe e Qeverisë së Kosovës për të blerë vota, është duke shpenzuar buxhetin në mënyrë të paligjshme për të blerë vota, e njëjta gjë është blerje votash edhe me këtë Udhëzim të ri Administrativ, mendoj që Qeveria, Ministria dhe Policia e Kosovës duhet bërë shumë që t’i forcojnë shumë standardet që janë në Policinë e Kosovës, t’a forcojnë sistemin e gradimit, t’a forcojnë sistemin e funksionimit të Policisë e jo të bëjnë veprime të tilla që na dëmtojnë të gjithëve”, ka thënë tutje Qalaj.

Këtë veprim e ka mirëpritur edhe një tjetër ish-udhëheqës i Policisë, Reshat Maliqi i cili vlerëson se ka mungesë enorme të eprorëve në organizatë.

Megjithatë, ai për tëvë1 thekson se duhet pasur kujdes te avancimi për dy grada të zyrtarëve policorë, siç parashihet në këtë Udhëzim.

“Në kohën e UNMIK-ut kemi pasë edhe gradime që dikush brenda vitit i ka marrë edhe tri grada… Tash nuk ish dashtë së paku me kalu dikush bile në gradën e rreshterit, ndoshta një vit pastaj me ju dhënë mundësi atyre edhe për toger, nëse është ajo përnjëherë më duket mos është shumë sepse nuk kemi nevojë me u ngutë me atë por atyre le t’iu jipet mundësia që të zhvillohen gradualisht”, u shpreh   Maliqi.

Për mënyrën se si është planifikuar ky lloj gradimi dhe detaje nga Udhëzimi, tëvë1 ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por që deri në publikim të kronikës nuk ka marrë përgjigje.

Derisa në njoftimin e ministrit Sveçla, testi i parë për gradën toger do të mbahet më 26 qershor./teve1