Udhëtoi për takimin me Kallas, Kurti sot takon mërgimtarët në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takoj sot mërgimtarët në Bruksel. Për takimin e tij me mërgatën e Kosovës në Bruksel ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook. Takimi do të filloj nga ora 20:00 dhe do të mbahet në Pater Pennickxstraat 32, 1982 Zemst Salla – Te Baba. Ky takim i…

Lajme

04/12/2024 10:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takoj sot mërgimtarët në Bruksel.

Për takimin e tij me mërgatën e Kosovës në Bruksel ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.

Takimi do të filloj nga ora 20:00 dhe do të mbahet në Pater Pennickxstraat 32, 1982 Zemst Salla – Te Baba.

Ky takim i Kurtit me mërgatën do të zhvillohet një ditë pasi dje ai u takua me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe me presidentin e sapo zgjedhur të Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Kreu i ekzekutivit pas takimit me Kallas ka thënë se ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë në Kosovë, kryeterroristin, Milan Radoiçiq, përgjegjës për sulmin në Banjskë.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqesh dhe grupin e tij prej mbi 40 persona”, ka thënë Kurti.

Ndërsa me presidentin e Këshillit Evropian, Antonia Costa Kurti ka thënë se ka theksuar përgatitjen dhe përkushtimin e Kosovës për të përparuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai i ka uruar Costës suksese në detyrën e re dhe ka ofruar bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, duke ritheksuar qëndrimin e Kosovës për integrimin në familjen evropiane.

“Vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket,” ka përfunduar Kurti.