Udhëtarët ankohen për biletat e integruara në Prishtinë
Zbatimi i vendimit të Komunës së Prishtinës që çdo qytetar që paraqet një biletë valide të udhëtimit nga një qytet i Kosovës, mund të përfitojë një biletë të integruar falas në Prishtinë, nuk po zbatohet në tërësi. Kështu të paktën thonë një pjesë e qytetarëve ku destinacioni i tyre nuk është Stacioni kryesor i autobusëve…

Lajme
Zbatimi i vendimit të Komunës së Prishtinës që çdo qytetar që paraqet një biletë valide të udhëtimit nga një qytet i Kosovës, mund të përfitojë një biletë të integruar falas në Prishtinë, nuk po zbatohet në tërësi.
Kështu të paktën thonë një pjesë e qytetarëve ku destinacioni i tyre nuk është Stacioni kryesor i autobusëve në Prishtinë, nga ku edhe duhet që ta paraqesin biletën valide për integrim.
Në mesin e tyre janë edhe Gjyzel Shaljani dhe Mirlinda Bytyqi nga Prizreni. Ato çdo ditë duhet të udhëtojnë nga Prizreni në Prishtinë.
“Unë e kam ma lehtë sepse mund të shkoj deri të Stacioni i Autobusëve. Por ata që udhëtojnë dhe i duhet të ecin në këmbë është larg. Ideale dhe më e lehtë do të ishte biletat dixhitale sikurse në shumë vende tjera të botës, kjo do të ishte mënyra më e lehtë”, tha Gjyzel Shaljani, zyrtare në Ministrinë e Arsimit.
“Është problem, sepse unë zbres këtu. Ndryshe është një mundësi të mirë. Ndoshta ndonjë kioskë apo dixhitalizim do ishte më mirë…”, tha Mirlinda Bytyqi, qytetare.
Gjatë kohës kur RTK ishte e pranishme për të parë nga afër zbatimin e këtij vendimi brenda Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, u pa numër i vogël i udhëtarëve të cilët integruan biletat e tyre ndërurbane. RTK provoi që t’i ketë edhe qëndrimet e tyre por ata nuk pranuan të flisnin.
Gjatë marsit, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim që të gjithë udhëtarët që vijnë nga çdo qytet i Kosovës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, bileta e tyre ndërurbane do të inkorporohet falas për shfrytëzim gjithë-ditor për transportin urban në kryeqytet!. Nga Komuna e Prishtinës lidhur me ankesat e një pjesë të qytetarëve, nuk janë deklaruar.