Udhëheqësit mblidhen për të shënuar 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit
Më 27 janar shënohet 80-vjetori i çlirimit të kampit famëkeq nazist të Aushvicit. Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësim për rritjen e partive të ekstremit të djathtë, veçmas në Gjermani, shtet që do të mbajë zgjedhjet muajin e ardhshëm. Shumë nga të mbijetuarit, që tani janë në moshë të shtyrë, mbanin shall me vija blu dhe…
Bota
Më 27 janar shënohet 80-vjetori i çlirimit të kampit famëkeq nazist të Aushvicit.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësim për rritjen e partive të ekstremit të djathtë, veçmas në Gjermani, shtet që do të mbajë zgjedhjet muajin e ardhshëm.
Shumë nga të mbijetuarit, që tani janë në moshë të shtyrë, mbanin shall me vija blu dhe të bardha, për të kujtuar uniformat e kampit dhe mbanin qirinj në duar teksa shkuan në Murin e Vdekjes në kampin në Poloni ku afër 1.1 milion persona u vranë nga pushtuesit nazistë.
Kampi u çlirua nga trupat sovjetike më 27 janar 1945, vetëm disa muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonitë kanë nisur më herët gjatë ditës, ndërkaq në orën 16:00 do të nisë ceremonia kryesore që do të zhvilohet në një tendë të veçantë të vendosur te hyrja e ish-kampit famëkeq. Një nga simbolet e ceremonisë do të jetë një vagon që do të qëndrojë pranë portës.
Në ceremonitë në Poloni do të marrin pjesë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, kancelari Olaf Scholz, udhëheqës të tjerë përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryediplomaten Donika Gërvalla,.
Scholz, i cili është në mes të një fushate të vështirë për rizgjedhje, ka përjetuar rritjen e partisë antiimigrante, Alternativa për Gjermaninë (AfD) gjatë dhe para mandatit të tij si kancelar.
“Kurrë nuk do t’i harrojmë. As sot, as nesër”, tha Scholz, duke kujtuar më shumë se 1 milion të vrarë në Aushvic nga gjermanët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka arritur në Poloni, pasi kishte ndezur qirinj në memorialin për Holokaustin, Babin Jar në Kiev, ku më shumë se 30.000 hebrenj u masakruan nga nazistët gjatë dy ditëve më 1941.
“Ishte përpjekje e qëllimshme e nazistëve për të zhdukur një komb të tërë – për t’ia vrarë të gjithë njerëzit dhe për të shkatërruar që ia kujtonte botës popullin hebre”, shkroi ai në X.
“Krimet e Holokaustit nuk duhet të përsëriten kur. Por, fatkeqësisht kujtimi gradualisht po venitet dhe ligësia po tenton të shkatërrojë jetën e kombeve të tëra që ende ekzistojnë në botë sot”.
Asnjë nga udhëheqësit e huaj që marrin pjesë në ceremoni, nuk do të mbajnë fjalime, sipas organizatorëve. Organizatorët duan që fokusi të mbetet te të mbijetuarit dhe afër 50 prej tyre do të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore.
Ky përvjetor po ashtu shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në vigjilje të ceremonive përkujtimore në Poloni, një agjenci qeveritare izraelite që merret me mbështetjen e të mbijetuarve të Holokaustit lëshoi raportin vjetor, ku vlerësoi se më shumë se 123.000 të mbijetuar të Holokaustit aktualisht jetojnë në Izrael.
Në mesin e tyre përfshihen 41.751 persona që i mbijetuan përndjekjes naziste dhe 44.334 që u larguan pas avancimit të forcave naziste, veçmas në ish-Bashkimin Sovjetik.
Grupi i tretë i 37.630 të mbijetuarve ishin viktima të antisemitizmit gjatë luftës jashtë Evropës – kryesisht në Marok dhe Algjeri, por aty përfshihen edhe hebrenj irakian.
Në raport po ashtu përmenden 133 izraelitë që kishin luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e forcave aleate./REL