“UÇK pa hierarki të qartë” – John Duncan e përfundon dëshminë dyditore
John Duncan, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën, ka përfunduar dëshminë dy ditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Duncan i cili shërbeu si diplomat për 33 vjet dhe mbajti edhe pozitën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, nisi dëshminë të hënën, duke…

Lajme
John Duncan, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën, ka përfunduar dëshminë dy ditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duncan i cili shërbeu si diplomat për 33 vjet dhe mbajti edhe pozitën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, nisi dëshminë të hënën, duke mohuar të ketë parë ndonjë komunikatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që përmendte ekzekutime apo likuidime ndaj kolaboracionistëve, raporton lajmi.net
Ai e përshkroi UÇK-në si një forcë heterogjene, pa strukturë të qartë hierarkike apo komanduese dhe me motive të ndryshme mes anëtarëve të saj. Ai deklaroi para trupit gjykues se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në dhe roli i tij ishte kryesisht politik.
Gjithashtu, një aspekt interesant i dëshmisë së tij ishte përshkrimi i një takimi me komandatët e zonave në qershor të vitit 1999. Ish-këshilltari politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, deklaroi se komandantët e UÇK-së mbanin erë lufte – barut e tym – ndërsa për ish-komandantin e UÇK-së në rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, theksoi se i ngjante personazhit legjendar të filmave aksion – Rambo.
Javën e kaluar, në Speciale, përfundoi dëshminë ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës, Paul Williams, i cili dëshmoi për një ditë e gjysmë, duke sqaruar rolin e tij në proceset diplomatike dhe negociatat ndërkombëtare të Kosovës.
Williams ofroi detaje mbi vendimet strategjike dhe komunikimet mes udhëheqësve kosovarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai theksoi se kosovarët ishin të shqetësuar për vetëqeverisjen pas Marrëveshjes së Rambujesë.
Ndërkaq, për tre ditë me radhë dëshmoi ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin. Rubin foli mbi rolin e Hashim Thaçit dhe autoritetin e tij në UÇK, mungesën e një shtabi të përgjithshëm, paraburgimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe trajtimin e tyre. Ai përmendi edhe ndikimin e figurave politike mbi Thaçin gjatë viteve 1998–1999./Lajmi.net/