“U zgjuam nga sirenat”, ambasadorja izraelite në Kosovë reagon pas sulmit të militantëve të Hamasit

Ambasadorja e Izrealit në Kosovë, Tammy Ziv, ka reaguar pas sulmit masiv të militantëve të Hamasit në Izrael. Ziv ka thënë se “Izraeli është nën sulm me raketa dhe infiltrim tokësor nga terroristë të armatosur”. “Ne u zgjuam këtë mëngjes nga sirenat, Izraeli është nën sulm me raketa dhe infiltrim tokësor nga terroristë të armatosur…

Bota

07/10/2023 10:30

Ambasadorja e Izrealit në Kosovë, Tammy Ziv, ka reaguar pas sulmit masiv të militantëve të Hamasit në Izrael.

Ziv ka thënë se “Izraeli është nën sulm me raketa dhe infiltrim tokësor nga terroristë të armatosur”.

“Ne u zgjuam këtë mëngjes nga sirenat, Izraeli është nën sulm me raketa dhe infiltrim tokësor nga terroristë të armatosur në qytetet izraelite”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ushtria e Izraelit tha më 7 tetor se po godiste caqe të Hamasit në Gaza pas një breshërie intensive të sulmeve me raketa në orët e para të mëngjesit, që kishin për shënjestër caqe në jug të Izraelit.

Grupi militant i Hamasit lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Një zëdhënës i ushtrisë tha se një shtëpi në Tel Aviv është goditur nga një raketë edhe pse nuk ka ende raportime për viktima. Një grua 70-vjeçare raportohet se është vrarë në jug të Izraelit, ku zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për shkak të “incidentit të sigurisë”.

Hamasi publikoi një deklaratë duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.

“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.

Mediat palestineze pretenduan se militantë të armatosur kanë kaluar kufirin nga Gaza për në Izrael, ndërkaq Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë shkruar në X – që më herët njihej si Tëitter – se “një numër i terroristëve janë infiltruar në territorin e Izraelit nga Rripi i Gazës”.

Raportohet se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është nisur për në Tel Aviv për një takim urgjent me zyrtarët e sigurisë, përderisa ministri i Mbrojtjes ka autorizuar që të thirren në detyrë rezervistët e ushtrisë.

Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebreje. Po ashtu vjen pas një periudhe të luftimeve intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve këtë vit. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve palestineze ndaj caqeve izraelite janë vrarë mbi 30 persona.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 gjatë luftës gjashtëditore.