U shua në moshën 78-vjeçare, Berisha mban një minutë heshtje për Bujar Bukoshin
Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Berisha shprehu fjalët më të mira për Bukoshin, teksa e cilësoi si një intelektual dhe atdhetar. “Një lajm i trishtë vjen nga…

Lajme
Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Berisha shprehu fjalët më të mira për Bukoshin, teksa e cilësoi si një intelektual dhe atdhetar.
“Një lajm i trishtë vjen nga Prishtina. Një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar, ish-kryeministri i parë i Republikës së Kosovës, kryeministër i qeverisë së parë në ekzil i Kosovës, bashkëpunëtori më i afërt, më i ngushtë i presidentit Rugova, Bujar Bukoshi u nda sot nga jeta.
Bujar Bukoshi dha një kontribut madhor në çështjen kombëtare. Krahas presidentit Rugova, ai luajti një rol të madh, së pari në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve. Por Bujar Bukoshi një intelektual atdhetar, diplomat i aftë, e përfaqësoi Kosovën në të gjitha institucionet dhe kancelaritë e vendeve të lira“, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati rikujtoi veprat e bëra nga Bukoshi për mbrojtjen e Kosovës, ashtu sikurse nxorri në pah dashurinë që ai kishte për shtetin e tij.
“Paraqiti së bashku me presidentin Rugova çështjen e saj dhe mbështeti fuqishëm në kohën e duhur krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte pikërisht nën udhëheqjen e presidentit Rugova dhe qeverisë së tij, koha në të cilën njësitë e para të kësaj ushtrie u stërvitën në qendra ushtarake të ndryshme të Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie organizoi gjatë luftës forcat e armatosura të qeverisë së Kosovës, të cilët luftuan bashkërisht në beteja të ndryshme me njësitë e UÇK-së. Bujar Bukoshi bëri gjithçka që gjatë luftës, UÇK-ja dhe forcat e mbrojtjes të qeverisë së Kosovës të bashkërendojnë veprimet, luftimet. Pra, ai dha një kontribut të madh në çështjen e Kosovës dhe në çështjen shqiptare. Me këtë rast, unë i shpreh popullit të Kosovës, familjes Bukoshi, zonjës Bukoshi dhe fëmijëve të tyre, ngushëllimet më të ndjera të miat, të PD-së dhe opozitës”, tha ai.
Përpara se Berisha të vijonte me deklaratën e tij për shtyp lidhur me çështjet politike të vendit, ai dhe të pranishmit në sallën e selisë blu, mbajtën një minutë heshtje në nderim të Bujar Bukoshit.