U shpenzuan mbi 300 mijë euro, por Qendra e Dializës në Rahovec nuk funksionon

Edhe pse është e pajisur me aparaturat më moderne, të cilat nuk i kanë as spitalet rajonale në vend, Qendra e Hemodializës në komunën e Rahovecit qe më shumë se një vit nuk është në funksion. Përndryshe, Reparti i Hemodializës në Suharekë, i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 2013 e po ashtu i pajisur me aparatura, vazhdon të mos funksionojë.

Lajme

20/07/2019 11:03

Qytetarët e komunës së Rahovecit e ata të Suharekës vazhdojnë të mos marrin shërbimin e hemodializës në komunën e tyre, edhe pse repartet për këtë shërbim tashmë me vite janë të pajisura me aparaturat më moderne, të cilat nuk i ka as Qendra Klinike Universitare e Kosovës e as spitalet rajonale.

Ndonëse rreth 200 mijë euro nga buxheti i Komunës së Rahovecit ishin ndarë në fund të vitit 2017 për funksionalizimin e Qendrës së Hemodializisës, kjo qendër edhe sot e kësaj dite nuk ofron shërbime për qytetarët e saj, andaj edhe pacientët detyrohen që të kërkojnë trajtim në Spitalin e Prizrenit, shkruan gazeta “Zëri”.

Gjithsej projekti për Qendrën e Hemodializës në këtë komunë kishte kushtuar rreth 307 mijë euro, ku rreth 167 mijë euro ishin ndarë nga buxheti i Komunës, ndërsa pjesa tjetër kishte qenë donacion.