U prit Mickoski dhe himni shqiptar nuk u luajt në Pustec, Rama: S’ka mushkë Troje që na lëkund

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për mosluajtjen e Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë aktivitetit të zhvilluar të enjten në Pustec, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Përmes një postimi në platformën X, Rama e cilësoi ngjarjen si “një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje…

Lajme

21/08/2026 14:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për mosluajtjen e Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë aktivitetit të zhvilluar të enjten në Pustec, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Përmes një postimi në platformën X, Rama e cilësoi ngjarjen si “një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës”.

Rama tha se kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në aktivitet të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar.

“U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane”, shkroi Rama.

Ai shtoi se Shqipëria i konsideron minoritetet si “pasuri kombëtare”, ndërsa kritikoi atë që e quajti “cirk të nacional-folklorizmit ballkanik”.

Reagimi i Ramës vjen pasi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shprehu keqardhje për mosluajtjen e Himnit Kombëtar Shqiptar në këtë aktivitet.