“U premtonte qytetarëve përfitime në këmbim të votës”, Prokuroria me detaje për serbin e ndaluar për dhënie ryshfeti në këmbim vote

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, një person me inicialet A.T., shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’, nga…

Lajme

05/06/2026 11:16

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, një person me inicialet A.T., shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’, nga neni 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Veprimet hetimore lidhur me këtë rast janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informatave se në fshatin Uglarë, Komuna e Graçanicës, po zhvillohej një aktivitet i dyshuar që lidhej me procesin e votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.Gjatë zbatimit të veprimit hetimor dhe kontrollit të një lokali, si dhe të objekteve të tjera ku ishte lokalizuar vendndodhja e të dyshuarit, janë gjetur një numër i madh i fletëvotimeve të printuara me hijëzim të subjektit politik ‘’Lista Serbe 119’’, si dhe lista të printuara që përmbanin identitetin dhe të dhënat e votuesve”,thuhet në njoftim.

Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari kishte kontaktuar qytetarë nga komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian duke u premtuar përfitime të ndryshme sociale në këmbim të votimit sipas udhëzimeve apo kërkesave të tij. Poashtu, ekzistojnë dyshime se ai u kishte ofruar udhëzime lidhur me mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve në ditën e zgjedhjeve.

I dyshuari është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, mbrojtjen e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe trajtimin me prioritet të çdo rasti që cenon ligjshmërinë e zgjedhjeve”./Lajmi.net/