U përmend në dosjen “Epstein”, reagon Jahjaga: Nuk e njoh, nuk e kam takuar dhe nuk kam kërkuar asnjëherë takim me të
Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pasi në njërin nga email-et në dosjen “Epstein”, që ishte dërguar nga një person me emrin “Daniel”, sugjerohet një takim mes Presidentes së Kosovës dhe priceshes nga Tajlanda, që ndodheshin në New York, dhe donin të takoheshin me Jeffrey Epstein. Kjo email ishte dërguar më 16 shtator 2012,…
Lajme
Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pasi në njërin nga email-et në dosjen “Epstein”, që ishte dërguar nga një person me emrin “Daniel”, sugjerohet një takim mes Presidentes së Kosovës dhe priceshes nga Tajlanda, që ndodheshin në New York, dhe donin të takoheshin me Jeffrey Epstein.
Kjo email ishte dërguar më 16 shtator 2012, periudhë kur Presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.

Ajo ka thënë se raportimet për lidhjen e saj me dosjen “Epstein”, janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Jahjaga ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me Jeffrey Epstein.
“Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar. Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet”, ka thënë Jahjaga.
Ajo gjithashtu ka thënë se nuk e ka njohur, takuar dhe as nuk ka kërkuar takim me Epstein në asnjë pozitë që ka mbajtur deri më tani.
Çfarë dihet për dosjen “Epstein”?
Dokumente të sapohapura nga një gjykatë federale amerikane kanë zbuluar emrat e liderëve botërorë, anëtarëve të familjeve mbretërore, miliarderëve dhe elitës së biznesit të lidhur me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein.
Zbrazja e mbi 3 milion faqeve të dosjeve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve në një rast të profilit të lartë për trafik seksual ka hedhur dritë mbi dhjetëra figura të fuqishme, të supozuara të lidhura me Epstein, duke përfshirë politikanë, mbretër, diplomatë dhe përfaqësues të korporatave nga kontinente të ndryshme.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Todd Blanche, tha se dokumentet, të publikuara sipas Akti i Transparencës për Dosjet Epstein, përfshijnë mbi 2,000 video dhe 180,000 imazhe
Ndërsa disa informacione u fshehën për të mbrojtur viktimat, veçanërisht të miturit, emrat e 43 viktimave u publikuan pa fshehje, përfshirë mbi 20 që ishin të mitur në kohën e abuzimit. /Lajmi.net/