“U përjashtuan nga moderimi i emisioneve”, moderatorë të RTK-së akuzojnë për përjashtim arbitrar dhe censurë

Moderatorja e njohur Blerta Foniqi Kabashi, bashkë me kolegët e saj Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë reaguar publikisht ndaj një vendimi të menaxhmentit të RTK-së, të cilin e konsiderojnë arbitrar dhe joligjor. Në reagimin e tyre thuhet se të premten, në fund të orarit të punës, ata…

Lajme

25/08/2025 17:59

Moderatorja e njohur Blerta Foniqi Kabashi, bashkë me kolegët e saj Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë reaguar publikisht ndaj një vendimi të menaxhmentit të RTK-së, të cilin e konsiderojnë arbitrar dhe joligjor.

Në reagimin e tyre thuhet se të premten, në fund të orarit të punës, ata kanë marrë një njoftim të paparalajmëruar, me të cilin përjashtohen nga moderimi i emisioneve – përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.

Po ashtu gazetarët theksojnë se kanë kërkuar takim me menaxhmentin e RTK-së lidhur me këtë çështje, por nuk kanë marrë përgjigje. Ata e quajnë vendimin si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në skemën programore, që sipas tyre është e paligjshme, ngase ndryshimet në skemë mund të bëhen vetëm nga Bordi – institucion i cili aktualisht mungon në RTK.

“Vendimi i fundit ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik”, thuhet në reagim, ku gjithashtu potencohet se herë pas here janë paralajmëruar heqje të magazinave informative sa herë që janë transmetuar intervista me përfaqësues të partisë në pushtet që kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.

Ndryshe moderatorët thonë se janë përballur me presion të vazhdueshëm dhe akuza të pabaza nga eprorët, gjë që e ka bërë të vështirë ushtrimin e detyrave të tyre të punës.

Teksa paralajmërojnë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke nënvizuar se do të vazhdojnë punën në mënyrë objektive dhe profesionale, pavarësisht sfidave. /Lajmi.net/