U la jashtë kryesisë së re, reagon Gashi: LDK-së i duhet lidership dhe energji e re

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk i ka bërë vend në kryesinë e re të LDK-së. Ai ka thënë se që kur kanë përfunduar zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës, ka folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe humbjen e besimit të…

Lajme

15/04/2026 16:48

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk i ka bërë vend në kryesinë e re të LDK-së.

Ai ka thënë se që kur kanë përfunduar zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës, ka folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe humbjen e besimit të brendshëm, si dhe ka thënë se ka propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë.

Këto propozime, Gashi ka thënë se nuk gjetën përkrahje në votim ndonëse sipas tij realiteti u pranua në fjalë.

“Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten. Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku rezultati nuk ishte ai që e meriton LDK-ja, paraqita sërish analiza dhe rrugëdalje konkrete. U zgjodh një drejtim tjetër. E pranoj këtë si fakt politik, por jo si fund të bindjeve të mia. Sot e them pa dilemë: Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë”, ka shkruar Gashi.

Ai ka thënë se një cikël politik ka përfunduar, por se LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.

“Besimi nuk kërkohet – fitohet. Shpresa nuk premtohet – ndërtohet. Ndryshimi nuk pret – bëhet. Sot, Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa. I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së. Unë besoj se këto vlera mund të rikthehen. Dhe për këtë do të angazhohem pa hezitim”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se mbetet për t’u parë nëse LDK-ja do të gjej forcën për ta bërë këtë.

“Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë: në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës. Ju priftë e mbara!”, ka shtuar ai.

LDK ka publikuar sot listën e anëtarëve të kryesisë së re të LDK-së, e në atë listë nuk janë as Arben Gashi, e emra të tjerë që kanë vite që kanë kontribuar në këtë parti. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: