“U kontaktua se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit” – Policia jep detaje për vdekjen 26 vjeçarit në Kaçanik

Një i ri ka humbur jetën sot pasi dyshohet se ka rënë nga ura e autostradës “Arben Xhaferi” në Kaçanik. Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media. Policia ka thënë se sot rreth orës 13:15, janë njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të…

Lajme

08/06/2025 20:55

Një i ri ka humbur jetën sot pasi dyshohet se ka rënë nga ura e autostradës “Arben Xhaferi” në Kaçanik.

Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Policia ka thënë se sot rreth orës 13:15, janë njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës I.H (M/K) i moshës 26 vjeç.

Siç ka shkruar Policia, dyshohet se viktima kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër fshatit Bob, komuna e Kaçanikut.

Policia ka thënë se pas ekzaminimeve fillestare nga hetuesit e trafikut, është konstatuar se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit, shkruan lajmi.net.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e stacionit policor Kaçanik, ndërsa rreth orës 16:45, janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka autorizuar inicimin e rastit si: “Hetim mbi vdekjen”. Për informata shtesë, do të njoftoheni pasi të kryhen ekzaminimet e nevojshme nga hetuesit rajonal”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në lidhje me rastin në fjalë, detaje sot kanë dhënë edhe nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

Ata kanë njoftuar se është tërhequr trupi i pajetë nga gremina.

“Fatkeqësisht, viktima ka rënë nga një lartësi e urës dhe ka humbur jetën në vend. Ky është një moment dhimbjeje e pikëllimi për të gjithë ne. Në këto çaste të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër e me lutje. Zoti e mëshiroftë të ndjerin dhe i dhashtë forcë familjes për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar anëtari i Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, Florim Neziraj.

I riu i cili humbi jetën në këtë aksident ishte, Ideal Halabaku nga fshati Pozheran i Vitisë dhe për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Halabaku, të afërmve, shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën Idealin. Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën si djalë shembullor, i dashur dhe plot jetë. Në këto momente të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër dhe mendje, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe”, ka shkruar Haliti. /Lajmi.net/

Komunikata e plotë: