U kapën nën dyshimin për veprimtari kriminale, gjykata merr vendim për tre policët

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre policëve A.I., A.Sh. dhe B.B., të dyshuar për disa vepra penale. Të dyshuarit, sipas njoftimit akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës…

Lajme

08/05/2026 19:06

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre policëve A.I., A.Sh. dhe B.B., të dyshuar për disa vepra penale.

Të dyshuarit, sipas njoftimit akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe marrje të deklaratave me anë të shtrëngimit.

Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën për paraburgim si të pabazuar dhe ka vendosur masa alternative sigurie.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve A.I., A.Sh., dhe B.B ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datën 07.06.2026”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka theksuar po ashtu se shkelja e kësaj mase mund të sjellë zëvendësimin e saj me paraburgim.

“Obligohen tre të pandehurit që në largësinë prej 100 (njëqind) metra, të mos i ofrohen vendit të punës si dhe institucioneve të tjera shtetërore të cilat kanë të bëjnë me pronën – Agjensionin Kadatral të Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”.

“Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve A.I., A.Sh., dhe B.B., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.