U ftua për t’u paraqitur nesër për intervistim në ora 10:00, por Kurti do të shkojë në Gjilan për përurimin e një çerdhe

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është ftuar disa herë radhazi nga Prokuroria Speciale, që të dëshmojë në kuadër të hetimeve që po bëhen në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”. Pavarësisht se këto ftesa nisën t’i drejtohen që nga dhjetori i vitit të kaluar, Kurti zgjodhi që të mos u përgjigjet pozitivisht. Madje Kurti u…

Lajme

03/03/2025 14:41

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është ftuar disa herë radhazi nga Prokuroria Speciale, që të dëshmojë në kuadër të hetimeve që po bëhen në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Pavarësisht se këto ftesa nisën t’i drejtohen që nga dhjetori i vitit të kaluar, Kurti zgjodhi që të mos u përgjigjet pozitivisht.

Madje Kurti u bëri thirrje prokurorëve që ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës.

Situata shkoi edhe më tej ku së fundi Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi paraqitjen e tij si dëshmitar.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.

Të premten nga Zyra e Kryeministrit i dërguan një letër gjykatës ku i listuan disa nga pikat që sipas tyre janë arsye se pse Kurti duhet intervistuar në Qeveri.

Megjithatë, duket se Kurti nuk do të paraqitet nesër për intervistim në Prokurorinë Speciale, transmeton lajmi.net.

Kjo pasi Ministria e Arsimit i është drejtuar mediave përmes një komunikate ku thuhet se kryeministri Albin Kurti bashkë me ministren, Arbërie Nagavci do të jenë pjesë në vendosjen e gurëthemelit të çerdhes së re në Gjilan në lagjen “Livadhet e Arapit”

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Kjo është edhe ora e njëjtë që Kurti ka pasur të dëshmojë në Prokurori nesër, por ai në vend të kësaj zgjodhi Livadhet e Arapit në Gjilan.

Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në bazë të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Kryeministri Albin Kurti mund të dënohet me gjobë dhe burgim nëse refuzon të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.

Pavarësisht këtyre ftesave, Kurti sërish nuk ka njoftuar nëse do të paraqitet për të dëshmuar apo jo./Lajmi.net/