U bë pjesë e ISIS-it së bashku me familjen në vitin 2015- por kush është i arrestuari për spiunazh nga Bresalci i Gjilanit?

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot për arrestimin dhe ndalimin e një personi të dyshuar për spiunazh. Aksioni për arrestimin e të dyshuarit ishte realizuar në koordinim me Prokurorinë, Policinë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Por kush është i arrestuari për spiunazh? I arrestuari në rastin e fundit për spiunazh është Hysri Selimi- emër ky…

Lajme

06/05/2025 12:48

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot për arrestimin dhe ndalimin e një personi të dyshuar për spiunazh.

Aksioni për arrestimin e të dyshuarit ishte realizuar në koordinim me Prokurorinë, Policinë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Por kush është i arrestuari për spiunazh?

I arrestuari në rastin e fundit për spiunazh është Hysri Selimi- emër ky i njohur për autoritetet e Kosovës për përfshirje të mëhershme në aktivitete terroriste,

Deri tek arrestimi i Selimit erdhi pas një hetimi të gjerë e ku përfshiheshin masa të veçanta hetimore e të zbatuara për disa muaj radhazi.

Nga Prokuroria Speciale u bë e ditur se me rastin e arrestimit, me urdhër të gjykatës janë sekuestruar edhe prova materiale që ndërlidhen me aktivitete të dyshuara, përfshirë këtu pajisje elektronike që mund të jenë përdorur për transmetim të informative konfidenciale.

Me urdhër të prokurorit, Selimi tanimë është ndaluar për 48 orë-derisa hetimet në lidhje me dyshimin për spiunazh pritet të vazhdojnë në mënyrë që të sqarohet i gjithë rasti dhe rrethanat e krijuara, raporton lajmi.net.

Por si ishte i njohur Hysri Selimi për autoritetet e vendit?

I njëjti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kishin lëshuar Kosovën- me destinacion Sirinë, në mënyrë që t’i bashkoheshin ISIS-it.

Hysri Selimi nga fshati Bresalc i Komunës së Gjilanit ishte i njohur nën dyshimin për lidhje me ISIS-n, derisa sipas aktakuzës së asaj kohe Selimi ishte angazhuar në byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë me nga 100 USD në muaj.

“I akuzuari H.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej  4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.08.2018 e tutje, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim. Të akuzuarit H.S i është  vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim. I akuzuari me datë 23.11.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte  lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që ti bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”,  thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në anën tjetër siç raportohej nga kjo gjykatë, i njëjti atje ishte shkuar për tu bërë pjesë e Byrosë së ushtarëve të “ISIS”, duke u financuar nga këta të fundit me shumë prej 100 dollarëve amerikan në muaj dhe duke bashkëpunuar edhe me të tjerë si Lavdrim Muhaxheri.

Selimi së bashku me familjen e tij, ishte dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane e pastaj ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28 maj 2022.

“E cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 Dollar Amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.05.2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës. Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”, deklaron Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pas kësaj, Selimi u riatdhesua në Kosovë ku pastaj u përball me seanca gjyqësorë për çka edhe ishte dënuar. Por pak vite pas kthimit nga atje, Selimi po përballet me akuza të reja e të rënda- këtë herë për spiunazh.

Por i arrestuar nga kjo familje nuk ishte vetëm babai. Policia kishte vënë nën pranga edhe djalin e tij, Genc Selimin.

Djali i Hysri Selimit ishte arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se bashkë me pesë persona të tjerë të cilët po përgatisnin një sulm terrorist, duke kryer veprën penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Në ditën e arrestimit, ai ishte zënë në dorë më snajper dhe fishekë të shumtë.

Ai dhe shokët e tij ishin arrestuar pas nëntë muajsh përgjime nga policia, të cilët për të vërtetuar dyshimin e kishin simuluar një rast, ku kishin rënë në kontakt me të dyshuarit të cilëve edhe iu kanë shitur e falur armë.

E Hysri Selimi asokohe për media deklaronte se nuk e di ku i kishte marrë djali paratë për armë, pasi ai punonte në ndërtim e si “argat”.

Hysri Selimi për rastin thoshte se ia ka montuar Policia, siç thotë ai, për interesa të caktuara.

Për interesa të caktuara edhe grupet ekstremiste, sipas babait, e kanë futur në mesin e tyre edhe djalin e tij. Selimi thotë se djalin ia kanë manipuluar, ndonëse e kishte paralajmëruar për këtë.

“I kemi thanë, kujdes se po manipulohesh. I kam thanë ti je në kurth, i kam thanë ty po të përgjojnë, ty kanë me të shti në lojë, por ai me ka thënë se nuk jam duke bërë asgjë.Të jesh e bindur se këta janë manipuluar. Janë manipuluar nga dy shërbime. Unë i quaj shërbime të huaja, por që i kanë njerëzit në Kosovë. Unë i cilësoj si ekstrem, që i kanë njerëzit këtu për qëllime të caktuara të ekstremizmit dhe futjen e urrejtjes ndaj komuniteteve të ndryshme fetare dhe në anën tjetër shërbimet policore të Kosovës.Si i ka ba 15 vjet më ka dalë prej dore. Ka fillu mu shoqëru me ta, me nejt me ta, me djemtë me mjekra”, pati deklaruar Hysriu, duke përsëritur se djalin ia kanë “futur në lojë”, pati thënë Selimi atë kohë- derisa tani po akuzohet për vepër të rënd si “Spiunazh”./Lajmi.net/