Tymi nga zjarri në Sferkë shkakton helmime: Një person në spital, disa të tjerë marrin ndihmë në vendngjarje

Mbrëmjen e së hënës, disa protestues në fshatin Sferkë të Pejës dyshohet se pësuan shqetësime shëndetësore si pasojë e tymit që po dilte nga zjarri në deponinë e mbeturinave. Lidhur me rastin, detaje, ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Ai ka bërë të ditur se deri më tani një person është…

Lajme

20/07/2026 23:50

Mbrëmjen e së hënës, disa protestues në fshatin Sferkë të Pejës dyshohet se pësuan shqetësime shëndetësore si pasojë e tymit që po dilte nga zjarri në deponinë e mbeturinave.

Lidhur me rastin, detaje, ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa persona të tjerë janë trajtuar në vendin e ngjarjes nga ekipet emergjente.

“Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat e ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka rikujtuar se edhe javën e kaluar, pas shpërthimit të zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Prokurori i Shtetit, përveç Policisë së Kosovës, ka autorizuar edhe një ekspert të zjarreve për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për t’ia dorëzuar Prokurorisë raportin me të gjeturat.

“Eventualisht, nëse është nga faktori njeri, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për ta arrestuar personin apo personat përgjegjës”, ka shtuar Nikçi.