Tymi i bardhë i Albin Kurtit

Nëse Albin Kurti vërtet është ashtu intelektual siç e besojnë simpatizuesit e tij, atëherë ai vepron me urti: tërhiqet nga kandidimi për kryetar partie dhe shpëton vetën dhe le të fortë Vetëvendosjen!

Opinion

12/12/2017 12:32

Fyerja e Aida Dërgutit shërbeu vetëm si fumus niger, si ai tymi i zi që lakohet drejt qiellit, kur zgjedhja e Papës bëhet e pamundshme. Nëpërmjet tymëziut, kur kriza bëhet e pakapërcyeshme, ftohen për mobilizim ithtarët, opinioni dhe militantët jashtë, për tu ekstazuar aq sa munden e të ndihmojnë (ri)zgjedhjen Holy Father-it – pa të cilin s’ka asnjë kuptim kisha.

Çka ndodhi në konklavën e fundit të Partisë Vetëvendosje?

Gjatë një diskutimi «privat» në Viber, që njoftonte për ri-arrestimin e eksponentëve të PVV-së, deputetja dhe njëra nga promotorët më aktive të kësaj partie Aida Dërguti fyeu njërin nga kolegët e saj. Pas reagimeve të ashpra të shtabit të Tiranës, të cilët kërkonin linçim të «gojëkeqes», u publikuan edhe materiale tjera komunikimi nga krahë e persona të kësaj partie. Korrespondencë, kjo që kristalizoi faktin e ekzistencës së dy fraksioneve në luftë e sipër, brenda kësaj partie. Njëra palë thuhet se kërkon «ekzekutimin» e Aida Dërgutit, tjetra ikjen e partisë nga kultivimi i kultit të personalitetit dhe e treta, më e pazëshme dhe e zhgënjyer thellë, kërkon dialogun ndërmjet të «përdhosurve» për ta shpëtuar partinë.

Opinioni publik, ai jashtë partisë, varësisht nga preferencat, ndihej i konfirmuar në kritikën që ia bën qëmoti kësaj partie; të përdor mjete e metoda që nuk shkojnë brenda kulturës së demokracisë pluraliste si dhe të jetë konfuze me qëndrimet karshi shtetit, kauzave dhe problemeve të shoqërisë.

Pas gjithë debatit, polemikave, linçimeve të papara që u përdorën, shumica në trajtën e apologjisë për Führerin; qëndrimeve të botuara kryesisht në facebook si dhe spekulimeve në media u mblodh “konklava”, këshilli suprem i partisë. Paraprakisht e linçuara Dërguti u tërhoq nga postet e saja që i mbante brenda “konklavës”.

2.

Fatmirësisht dhe pozitive: Sa më shumë që informatat dalin përtej zonës ex auditu, duke u shndërruar në argumente, aq më shumë konfirmohet teza formaksiome se dy fraksionet nuk gjenden në konflikt për shkak të mosmarrëveshjes se duhet apo jo të kthehet Albin Kurti si kryetar partie, porse bëhet fjalë pikërisht për riorientimin e partisë konform përgjegjësisë që tashmë ka si forca kryesore e vendit. Të ishte ndryshe do të ishte madje paradoks kur kemi parasysh profilin e Aida Dërgutit dhe ca tjerëve, të cilët gjithmonë janë dëshmuar si të pjekur, si subjekte që nuk do të rrezikonin kauza e ideale për shkak të antipative interpersonale.

Problemin ndërmjet dy fraksioneve e përbëka de facto ajo që shkroi Dërguti në dorëheqjen e saj, citat:

«Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zëmë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin.»

 Metodat e veprimit siç janë instrumentalizimi, linçimi i organizuar publik kundër tjerëve dhe tjera që Dërguti i le këtu pa thënë a nuk ishin kritika e përhershme e të gjithëve ndaj partisë së mbiquajtur e Albin Kurtit? Kjo deklaratë e deputetes dhe ish funksionares më të lartë të PVV-së e nxjerr edhe një paradoks tjetër tronditës në sipërfaqe: a nuk ishte Dardan Molliqaj babai, shefi i falangave, me mjekra e pa to, me çorapë në krye apo si zombi rrjeteve sociale që fyenin e përlanin çdo kë që ua prekte sedrën? Apo Molliqaj qenka më shumë delja e zezë, pasi ky u rreshtua në anën e kundërt. Luante Dardan Molliqaj rolin e samarit për të mbrojtur kurrizin e gomarit që si shtab gjendet në Tiranë – siç pandehin shumica e kritikëve pas këtyre zbulimeve të reja?

Po qëndroi ky spekulim; atëherë pse filozofi mendjendritur, – epiteton me të cilin na e shpifën militantët e egërsuar të tij – aq i zgjuar e aq modest, për të cilin thonë se nuk kultivon e kushtëzon kultin e idolit ngase është i thjeshtë si një murg,  pse pra ky qenka rreshtuar me ata që nëpërmjet instrumentalizimit; linçimeve dhe metodave që fabrikojnë viktima burgjeve, izolimit dhe edhe më rëndë rrezikojnë jetën e njerëzve; pse është bashkuar me ata që instrumentalizojnë edhe fanatikun më mesjetar për ca kokrra e vota vetëm sa për të ardhur për pushtet? A nuk do ishte ky veprim e kundërta e gjithë asaj që mund ta përbëj një njeri intelektual? Apo edhe ky perceptim është gabim: Albin Kurti ndoshta dashka të kthehet për ta shpëtuar PVV-në nga humbja e ta bëjë së paku, falë karizmës dhe ndikimit të tij, partinë, të dytën apo të tretën brenda demokracisë kosovare?

3.

Nëse kjo analizë – e ndërtuar mbi faktet siç na ekspozohen pas këtyre ditëve – qëndron, atëherë së paku njëri fraksion i PVV – ky që u shfaq me zonjën Dërguti – vërtet qenka besnike ndaj ideve bazë, idealeve dhe programit dhe si e tillë dashka ta mbajë partinë në kurs të suksesit koherent e pa rënie ngritje – nervoze. Ky fraksion paska mësuar nga historia e simotrave të saja, të cilave labiliteti u vjen ngase bëjnë politikën kryesisht me liderin (të gjallë apo të shuar) si kapital jetëgjatësie ose nuk ia dalin më të marrin veten pas ikjes së liderit në poste apartiake e të ngjashme.

Ekzistenca e fraksioneve, në partitë e ndërtuara demokratisht, është dukuria më normale dhe madje kushti që ato të kualifikohen si të tilla – demokratike e jo diktatetske, moniste siç i njohim ato të historisë. Partitë me inteligjenci të mjaftueshme këto kriza, si kjo e VV-së tashti, i shfrytëzojnë për të siguruar besueshmërinë jo vetëm tek masat e tyre por edhe më gjere duke prodhuar bindjen se janë dinjitoze, që konform fuqisë që kanë edhe të marrin përgjegjësinë si timonierë apo faktori kryesor përbërës i qeverisjes së një shteti.

4.

Nëse vërtet Albin Kurtin, në çdo vendim të tij e udhëheq mendimi i thellë, dija dhe motivi i çdohershëm munerik – siç thonë simpatizantët e tij – atëherë ai me një qëndrim, me një letër do ta shpëtonte partinë, deputet i së cilës është. Ai sapo ta zhveshte mllefin – që sigurisht ia krijon perceptimi sikur plotë mezi presin ta eliminojnë duke mos ia njohur meritat – do ta fitojë sërish thymos -in, fuqinë e kthjellë, që të mbetet ashtu siç e besojnë të jetë më militantët e tij: fryma që i duhet kohës e veçanërisht idealit të atyre me të cilët e ngriti PVV për shkak të besimit reciprok. Ai po të ishte vërtet intelektual dhe në përputhje me idealet që i tamtamon gjithandej dhe nuk hipnotizohet nga ajo pjesa mllefplotë dhe irracionale e militantëve jo të paktë të tij, do ta bënte këtë: do ta lëshonte fumus albus-in, tymin e bardhë nga oxhaku i burgut. Do të kërkonte që të shpëlahej emri, autoriteti dhe dinjiteti i tij si subjekt me një debat konstruktiv ndërmjet fraksioneve për të gjetur rrugën më të mirë për partinë se si ajo fuqinë në vota ta materializojë konkretisht për të ndryshuar pozitivisht proceset brenda politikës kosovare. Do të neutralizonte veten qëllimisht. Do të bëhej neutral për shkak se është bërë – deshi apo jo – hiatusi ku mund të bëhet copa jo vetëm partia, por edhe ai dhe shumë të tjerë që i duhen shumë politikës dhe shoqërisë kosovare. Nëse Albin Kurti është institucion në vete, atëherë për çka i duhet posti i kryetarit të partisë? Apo vërtet mund të funksionojë vetëm nëpërmjet metodave që tashmë nuk i durojnë as plotë brenda vetë VV-së?