Tusk dhe Juncker urojnë Metën: Të tejkalohen përçarjet politike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori sot një mesazh urimi të përbashkët nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Lajme

28/07/2017 19:49

Në telegramin e përbashkët të urimit, dy drejtuesit e lartë të Unionit shprehen se sfidat me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndërpartiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.

“Ndaj shpresojmë se ju do të ndihmoni për ta çuar vendin përtej përçarjeve politike dhe se Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë pesë përparësitë kryesore, në mënyrë që të plotësohen kushtet për hapjen e negociatave”, thuhet në mesazhin e Tusk dhe Juncker.

Në të theksohet se Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian do të vazhdojnë të mbështesin reformat e ndërmarra dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. /TCH