Turqit e Aeroportit të Prishtinës, ndërtojnë aeroport në Rusi për 8 milionë pasagjerë

Kompania turke Limak, e cila ka marrë me koncesion për 20 vite Aeroportin e Prishtinës, së fundi ka fituar një tender në vlerë 210 milionë eurosh, për ndërtimin e një aeroporti në Rusi, me kapacitet prej 8 milionë pasagjerësh.

Lajme

22/06/2015 15:37

Kompania ndërtimore turke Limak, ka fituar një tender për të ndërtuar një aeroport me kapacitet prej 8 milionë pasagjerëve në qytetin rus Rostov, që është një nga qytetet nikoqire të Kupës së Botës 2018, thuhet në një njoftim të kompanisë, transmeton lajmi.net.

Limak tha se do të ndërtojë objektin me një partner rus, Marashstroy, duke shtuar se nënshkrimet përfundimtare do të firmosen deri në fund të qershorit.

“Projekti do të kushtojë rreth 210 milionë euro dhe do të përfundojë gjatë dy viteve të ardhshme. Qëllimi ynë është finalizimi i projektit para fillimit të Kupës Botërore të FIFA-s më 2018”, tha anëtar i bordit të Limak, Serdar Bacaksız.

Procesi i përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e aeroportit ka filluar në vitin 2014. Gjithsejtë 23 kompani kishin paraqitur propozimet e tyre, ku vetëm 18 prej tyre janë ftuar të dorëzojnë ofertat e tyre. Procesi negociues ka filluar në shkurt, ku Limak dhe Marashstroy janë përzgjedhur nga komisioni i tenderimit”, thuhej në kompaninë turke.

Limak është gjithashtu anëtare e një konsorciumi që do të ndërtojë aeroportin e tretë të Stambollit.

Kompania aktualisht është duke ndërtuar terminalin e dytë të aeroportit të Kajros, dhe ka drejtat për operim mbi Aeroportin e Prishtinës në Kosovë.

Limak i ka shitur aksionet e saj në aeroportin Sabiha Gokcen të Stambollit një partneri të Malajzisë, nga Malaysia Airports Holdings (MAHB), në fund të vitit 2014. (lajmi.net)