Turqia mbështet transformimin e Institutit Gjyqësor në Akademi të Drejtësisë

Një delegacion nga Turqia, në përbërje prej nëntëmbëdhjetë zyrtarëve të Akademisë së Drejtësisë ka vizituar Gjykatën Supreme, me ç’rast janë pritur nga kryetari i gjykatës, Fejzullah Hasani dhe gjyqtarët e Supremes.

Lajme

31/03/2015 13:45

Delegacioni i kryesuar nga Yilmaz Akçil, kryetar i Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, diskutoi me nikoqirët lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, me theks të veçantë, në Gjykatë Supreme.

Kryetari Hasani ka çmuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të shtetit turk në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet më tutje.

“Relacionet janë të veçanta me Akademinë e Drejtësisë, me projektet që po mbështesin trajnuesit që po trajnojmë për gjyqtarë të ardhshëm”, u shpreh kreu i Supremes.

Ndërkaq, kryetari i Akademisë turke të Drejtësisë, Akçil, ka folur me konsideratë të lartë për kolegët e Gjykatës Supreme dhe njëherësh ka uruar që Pallati i Drejtësisë të jetë i dobishëm për Kosovën dhe sistemin e drejtësisë në vend.

Ai ka precizuar se do të japin mbështetje të pa-rezervë gjatë transformimit të Institutin Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë.

”Akademia jonë prej vendeve që më së shumti i ka parasysh dhe mundohet që të ketë marrëdhënie të ngushta, është Kosova”, theksoi kryetari Akçil duke siguruar se këto marrëdhënie do të thellohen më tutje.

Anëtarët e këtij delegacioni, në mesin e të cilëve anëtarë të Këshillit të Shtetit, anëtarë të Këshillit Prokurorial – Gjyqësor, prokurorë, gjyqtarë, kanë drejtuar një varg pyetjesh për kryetarin Hasani, i cili u ka sqaruar strukturën e sistemit gjyqësor në vend, strukturën e gjykatave veç e veç, procedurat e zgjedhjes së gjyqtarëve, numrin e lëndëve të zgjidhura në Gjykatë Supreme, pastaj reformat që ka pësuar sistemi i drejtësisë që nga janari i vitit 2013, etj.