Tuneli i Murrizit hapet për automjete, cilësohet si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit

Tuneli i Murrizit u hap sot për qarkullimin e automjeteve pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon. I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, Tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet…

Lajme

14/03/2025 19:42

Tuneli i Murrizit u hap sot për qarkullimin e automjeteve pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon.

I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, Tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej 3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781 metra, i përbërë nga 11 hyrje dhe dalje.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja morën pjesë në inaugurimin e këtij tuneli të cilin fillimisht e përshkuan një pjesë në këmbë, dhe më pas e vijuan rrugën me autobus duke parë ndërkohë edhe punën e realizuar, si dhe masat e ndërmarra në mënyrë që tuneli të funksionojë në siguri të plotë.

Ministrja Balluku tha se janë kryer të testimet për rrugën dhe tuneli është përfunduar plotësisht sipas të gjitha parametrave. Ajo e cilësoi këtë investim krenari të infrastrukturës shqiptare, teksa njoftoi se në prill përfundon dhe rruga Maqellarë Peshkopi.

Lexo po ashtuShqipëri, mbahet aktiviteti për 105-vjetorin e parlamentarizmit shqiptarBerisha: Rruga e Arbrit nuk plotëson standardet, nesër protestë për mbylljen e TikTok • KosovaPress
Balluku bëri të ditur se Tuneli i Murrizit 3.8 km i gjatë është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij dhe se gjithçka është funksionale.

“Sipas Kodit Rrugor, çdo tunel mbi 500 metra ka nevojë të ketë tunel emergjence. Tuneli i emergjencës këtu ka 11 dalje dhe gjithçka është sipas parametrave. Nuk parashikohet të ketë më ndërprerje të trafikut në këtë aks, pasi e kemi mbajtur deri në fund të mbyllur këtë pjesë, për të punuar në çdo detaj, nisur nga gjeologjia e vështirë dhe projekti dhe gjithçka është e përfunduar më së miri”, tha ministrja.

Ajo informoi se, ky tunel është i blinduar në hekur pasi përndryshe nuk do të qëndronte, raporton ATSH.

“Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar në hekur, përndryshe nuk do të qëndronte. Ne në këto momente nuk po kalojmë në një tunel të gërmuar siç është rasti i Llogarasë, por po kalojmë në një tunel, i cili është i blinduar i gjithi në hekur si një unazë hekuri” , shpjegoi Balluku.

Lexo po ashtuAksioni policor në Maqedoni të Veriut zbuloi blerje të mazutit me kontratata fiktiveAjo tha se ndërkohë edhe pjesët e tjera të Rrugës së Arbrit janë të përfunduara.
Ndërsa kryeministri Rama vlerësoi punën e jashtëzakonshme dhe inkurajoi që të gjenden zgjidhjet infrastrukturore edhe për çdo pjesë tjetër të rrugës, në mënyrë që të jetë sa më funksionale.

Tuneli i Murrizit e bën të qasshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik.

Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës. Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura.

Rruga e Arbrit do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim, me 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Kjo rrugë jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.