“Tu Si Que Vales” në nisje të edicionit të dytë, zbulohen anëtarët e jurisë dhe prezantuesi

Talent show më i famshëm në Shqipëri, “Tu Si Que Vales Albania” është në pritje për të startuar edicionin e tij të dytë.

ShowBiz

14/10/2016 19:51

Pas suksesit në sezonin e parë, ku pati pjesëmarrje nga të gjitha trevat e Shqipërisë e Kosovës, por edhe nga shtete të ndryshme të Europës deri në Amerikë, të gjithë po presim me kërshëri risitë e këtij sezoni.

Ekipi i këtij produksioni premton që edhe këtë vit të bëjë atë për të cilën do të mbahet mend gjatë: t’i lërë njerëzit me gojë hapur.

Talente të disiplinave të ndryshme do të shpalosin edhe këtë vit potencialin e tyre përpara jurisë profesioniste që do të përbëhet nga aktori i mirënjohur Agron Llakaj, producentja e spektakleve ‘hit’ në Shqipëri, Holta Dulaku dhe nga Rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, i cili do të ulet për herë të parë në këtë edicion në poltronin e gjyqtarit në ndryshim nga dy emrat e parë. Ndërkohë përfaqësuese e jurisë së popullit do të jetë edhe në këtë sezon mezzosopranoja Vikena Kamenica.

Spektakli që do të nisë transmetimet në fund të tetorit do të drejtohet nga aktori dhe moderatori i dashur Florian Agalliu, i cili do të ketë në krah edhe një partnere seksi, emri i të cilës nuk është bërë ende i ditur nga “Vizion Plus”, televizioni që do të transmetojë çdo të enjte mbrëma spektaklin që pritet të na gozhdojë të gjithëve përpara ekranit.

“Tu Si Que Vales Albania” sakaq vijon audicionet në disa rrethe të Shqipërisë, ndaj nëse nuk e ke bërë ende, provoje dhe ti. Mund të jetë dita jote me fat dhe të përqafosh edhe ti famën./Revista Who