TRUSTI sqaron pretendimet e ish-guvernatorit Rexhepi dhe investimin në FORTIS

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST), ka reaguar pas pretendimeve të ngritura nga ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi.

Lajme

10/10/2016 17:10

Në reagimin e tyre dërguar medieve, thuhet se në artikull përmenden disa të pavërteta në lidhje me FKPK-në (Trustin) dhe drejtuesit e saj.

“Sa i përket investimit me menaxhuesin e mjeteve Fortis, pra jo bankën Fortis, Bordi Drejtues, si tërësi, kishte marrë vendim për investimin e mjeteve shtesë me këtë aset-menaxher, duke pasur parasysh kthimin më të leverdishëm për kontribuuesit se sa mbajtjen e tyre në BQK me kamata shumë më të ulëta”, sqaron TRUST-i.

Sipas tyre, duhet të qartësohet se Fortis ishte përzgjedhur nga FKPK-ja si menaxhues i mjeteve nga viti 2004, e jo si aludohet në artikull se “investimi është bërë pas ndërhyrjeve” dhe në periudhën për të cilën pretendon ish-Guvernatori Rexhepi.

Për të gjitha vendimet për investime, TRUST-i thotë se BQK-ja dhe Guvernatori i atëhershëm, janë njoftuar menjëherë pas mbarimit të mbledhjes nga vetë anëtarët e Bordit Drejtues, dhe ish-Guvernatori Rexhepi nuk ka ngritur asnjë brengë apo diçka të ngjashme sa i përket investimit të mjeteve me menaxhues të mjeteve. Ndërsa në lidhje me pjesëmarrjen e supozuar të Drejtorit Menaxhues të FKPK-së në një takim konfirmojmë se deklarimi në raport se “Drejtori Menaxhues ka qenë pjesë e takimit të përmendur” nuk është i vërtetë.

“Z. Zalli deklaron se nuk ka marrë pjesë në këtë takim dhe do të ishte mirë që kjo të dëshmohej me ndonjë dokument të pjesëmarrësve ose procesverbalit të takimit. Kjo po ashtu do të ishte e udhës të ishte bërë qoftë nga z. Rexhepi qoftë nga mediumi që ka publikuar lajmin, dhe kanë përfolur në mënyrë të pavërtetë emrin e një zyrtari”, thuhet në reagimin e TRUST-it dërguar medieve.

Ndryshe, ish-guvernatori Hashim Rexhepi ishte i arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në njoftimin e EULEX-it pas bastisjes dhe arrestimit të tij, thuhej se këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe larje të parave. /Lajmi.net/