Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për t’u takuar në Budapest të Hungarisë, pas një bisede telefonike që e zhvilluan të enjten, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington. “U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve…

Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për t’u takuar në Budapest të Hungarisë, pas një bisede telefonike që e zhvilluan të enjten, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.
“U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve tanë të nivelit të lartë… Presidenti Putin dhe unë më pas do të takohemi në vendin për të cilin u morëm vesh, pra në Budapest, Hungari”, shkroi Trump të enjten në mbrëmje në platformën e tij Truth Social.
Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendi i tij është bërë tashmë “gati” për t’i pritur Trumpin dhe Putinin.
“Takimi i planifikuar midis presidentëve, amerikan dhe rus, është lajm i shkëlqyer për njerëzit që duan paqe në mbarë botën”, shkroi Orban në X.
Trumpi shtoi se do të takohet me Putinin në Budapest “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”.
Ai gjithashtu tha se delegacioni amerikan, që do të zhvillojë bisedimet me palën ruse para takimit të tij me Putinin, do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Trump theksoi se vendndodhja e këtyre bisedimeve paraprake ende nuk është përcaktuar, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë, e përshkruan telefonatën midis Trumpit dhe Putinit si “të mirë” dhe “frytdhënëse”.
Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yury Ushakov, tha se biseda ishte “jashtëzakonisht e sinqertë dhe e besueshme”, duke shtuar se Rusia do t’i fillojë “menjëherë” përgatitjet për këtë takim.
Telefonata midis dy liderëve ndodhi pak para takimit të Trumpit me Zelenskyn, i cili pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë të premten.
“Presidenti Zelensky dhe unë do të takohemi nesër, në Zyrën Ovale, ku do të flasim për bisedën time me presidentin Putin dhe për shumë çështje të tjera”, tha Trump.
Kohët e fundit, Trump ka shprehur zhgënjimin e tij me Putinin dhe luftën e Moskës në Ukrainë, duke thënë më 15 tetor se presidenti rus nuk duket se dëshiron ta përfundojë konfliktin, gjë që e bën atë të duket “shumë keq”.
Ndërkohë, Zelensky pritet të bisedojë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe mundësinë që ajo të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi gjatë takimit të tij me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Dy liderët kanë folur dy herë gjatë fundjavës, mes diskutimeve të intensifikuara për një vendim të mundshëm të SHBA-së për t’i ofruar Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk.
Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e furnizimit me raketa Tomahawk, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 2.500 kilometra dhe mund të pajisen me koka bërthamore.
Kremlini ka paralajmëruar kundër furnizimit të Kievit me këto raketa.