​Trump paralajmëron Iranin: Forcat amerikane do të qëndrojnë “në vend” deri në zbatimin e “marrëveshjes së vërtetë”

Presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda nëse nuk zbatohet plotësisht ajo që ai e quan “marrëveshja e vërtetë”. Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se forcat ushtarake amerikane do të mbeten të pozicionuara brenda dhe përreth Iranit derisa marrëveshja të vihet në zbatim të plotë. Trump tha…

Bota

09/04/2026 08:06

Presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda nëse nuk zbatohet plotësisht ajo që ai e quan “marrëveshja e vërtetë”. Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se forcat ushtarake amerikane do të mbeten të pozicionuara brenda dhe përreth Iranit derisa marrëveshja të vihet në zbatim të plotë.

Trump tha se të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, të pajisur me armë dhe municione shtesë, janë të gatshëm për veprim. Sipas Trumpit, në rast se marrëveshja dështon, do të nisë një përshkallëzim i madh ushtarak, që ai e përshkroi si “më i madhi, më i forti dhe më i fuqishmi që është parë ndonjëherë”.

Trump përsëriti dy kërkesat kryesore të SHBA-së: që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe e sigurt për lundrim ndërkombëtar.

“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër që është e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme, do të mbeten në vend brenda dhe përreth Iranit, derisa MARRËVESHJA E VËRTETË e arritur të zbatohet plotësisht. Nëse për ndonjë arsye nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë “Fillimi i të shtënave”, më e madhe, më e mirë dhe më e fortë se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë. U ra dakord shumë kohë më parë, dhe pavarësisht gjithë retorikës së rreme për të kundërtën – ASNJË ARMË BËRTHAMORE dhe Ngushtica e Hormuzit DO TË JETË E HAPUR DHE E SIGURTË. Ndërkohë, ushtria jonë e madhe po ngarkohet dhe po pushon, duke pritur me padurim, në fakt, pushtimin e saj të radhës. AMERIKA ËSHTË KTHYER”, shkruan Trump.

Paqartësi mbi “marrëveshjen e vërtetë”

Deklaratat e fundit vijnë në një kohë kur raportimet për një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit mbeten kontradiktore. Mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me versione të ndryshme të një plani 10-pikësh që kanë qarkulluar nga palët.

Trump ka këmbëngulur se ekziston vetëm një grup kushtesh të pranueshme për SHBA-në, ndërsa nga pala iraniane janë paraqitur disa versione të ndryshme të marrëveshjes. Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar për një plan që përfshin ndalimin e luftimeve në disa vende të rajonit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.

Ndërkohë, një version tjetër i atribuar Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit përfshinte edhe pasurimin e uraniumit dhe kontrollin e Ngushticës nga Teherani, elemente që më pas janë ndryshuar në përkthimet zyrtare.

Në postimin e tij, Trump nuk përmendi një armëpushim që përfshin Libanin, një tjetër pikë e debatueshme në negociata.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa deklaratat e forta nga të dyja palët vazhdojnë të shtojnë pasigurinë mbi një marrëveshje të mundshme përfundimtare.