Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen në Alaskë të premten e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e luftës në Ukrainë. Trump e bëri të ditur takimin e 15 gushtit në rrjetet sociale, ndërsa lajmi u konfirmua edhe nga një zëdhënës i Kremlinit,…

Bota

09/08/2025 09:23

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen në Alaskë të premten e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e luftës në Ukrainë.

Trump e bëri të ditur takimin e 15 gushtit në rrjetet sociale, ndërsa lajmi u konfirmua edhe nga një zëdhënës i Kremlinit, i cili tha se vendndodhja ishte “mjaft logjike” duke marrë parasysh afërsinë relative të Alaskës me Rusinë, njofton BBC.

Zëdhënësi shtoi se Trump është ftuar në Rusi për një samit të mundshëm të dytë.

Nga Ukraina nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm.

Njoftimi për takimin erdhi vetëm disa orë pasi Trump kishte sinjalizuar se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

“Po flasim për një territor për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur.”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë të premten.

“Është shumë e ndërlikuar. Do të marrim diçka mbrapsht, do të bëjmë disa shkëmbime. Do të ketë disa shkëmbime territoresh, në dobi të të dyja palëve.”, shtoi ai.