Trump nënvlerëson testimin e raketave nga Koreja Veriore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka nënvlerësuar shqetësimet për testimin e raketave nga Koreja Veriore, duke dalë në kundërshtim me qëndrimin e këshilltarit të tij për siguri kombëtare, John Bolton.

Bota

26/05/2019 17:25

Përmes një postimi në Twitter pak kohë pasi arriti në Japoni, Trump tha se Koreja Veriore ka testuar armë të vogla, ndonëse këshilltari i tij për siguri kombëtare, John Bolton, tha të shtunën se këto testime i kanë shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara për kufizimet ndaj Koresë Veriore.

Presidenti Trump e filloi të shtunën një vizitë shtetërore në Japoni dhe u takua me kryeministrin e këtij vendi, Shinzo Abe.

Të dy udhëheqësit hëngrën mëngjes së bashku para se të shkonin të luajnë golf në periferi të Tokios.

“Koreja Veriore i provoi disa armë të vogla, gjë që nuk iu pëlqeu disa njerëzve të mi dhe disa njerëzve tjerë, por jo mua. Kam besim se udhëheqësi Kim do ta mbajë premtimin që ma ka dhënë”, shkroi ai në Twitter.

Kjo nuk është hera e parë që deklaratat e tij dallojnë me qëndrimet e këshilltarit Bolton dhe me qëndrimet e shtetit që e viziton.

Kryeministri Abe javën e kaluar tha se testimet e Koresë Veriore janë për keqardhje. Abe dhe Bolton e akuzuan Korenë Veriore se ka shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.