Trump kritikon sërish Zelenskyn teksa Evropa synon rritje shpenzimesh për mbrojtje
Liderët evropianë janë duke bërë përpjekje të marrin kontrollin e negociatave për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, dhe të garantojnë siguri në gjithë kontinentin, pas takimit të vështirë që është zhvilluar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ndërkohë, Trumpi ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt…

Bota
Liderët evropianë janë duke bërë përpjekje të marrin kontrollin e negociatave për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, dhe të garantojnë siguri në gjithë kontinentin, pas takimit të vështirë që është zhvilluar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë, Trumpi ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.
“Kjo është deklarata më e keqe që do të mund të bëhej nga Zelensky, dhe Amerika nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke vendosur aty edhe një link që të çon te një artikull i të përditshmes amerikane, Associated Press në të cilin citohet Zelensky duke thënë se përfundimi i luftës në vendin e tij është “shumë, shumë larg”.
Në postimin e 3 marsit, Trump ka sugjeruar se përmirësimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë, siç e kanë këshilluar liderët evropianë, Zelenskyn, do të jetë detyrë e vështirë.
Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer, ka thënë më 3 mars se ekzistojnë “disa propozime në tavolinë” për një marrëveshje armëpushimi.
Kjo deklaratë është bërë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron i ka thënë gazetës Le Figaro se një armëpushim njëmujor në luftimet në ajër, det dhe tokë, si dhe infrastrukturën e energjisë, do t’iu jepte kohë aleatëve që të testojnë përkushtimin e presidentit rus, Vladimir Putin për paqe afatgjatë.
Ndërkohë, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më 3 mars se ajo do t’i informojë shtetet anëtare për “një plan të riarmatosjes së Evropës” teksa qeveritë evropiane përpiqen t’i zbusin dallimet e tyre në rritje me Shtetet e Bashkuara për luftën në Ukrainë.
“Na duhet një rritje e madhe e shpenzimeve në mbrojtje, nuk ka asnjë dilemë. Ne duam paqe afatgjatë, mirëpo ajo paqe mund të jetësohet vetëm në forcë, dhe forca nis duke forcuar veten”, ka thënë von der Leyen.
Dhjetëra liderë prej Evropës, Kanadasë, Turqisë dhe NATO-s janë takuar në një samit të mbajtur më 2 mars në Londër, pas një jave të ngjeshur të diplomacisë, e cila do të mbahet mend përgjithmonë, meqë ka kulmuar me një takim katastrofal mes Zelenskyt dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Diskutimet me tona të ashpra mes Zelenskyt dhe Trumpit para kamerave kanë tronditur liderët evropianë, meqë ndër të tjera, presidenti ukrainas është akuzuar për mungesë respekti ndaj SHBA-së, dhe që po rrezikon të gjithë “duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”.
“Përshkallëzim i konstruktuar” thotë Merzi i Gjermanisë
Disa prej komenteve më të fuqishme për takimin e 28 shkurtit në Shtëpinë e Bardhë i ka bërë Friedrich Merz, që me shumë gjasë do të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.
Ai i është referuar takimit si “përshkallëzim i konstruktuar”, kritikë e mprehtë për Trumpin dhe administratën e tij.
“Nuk ka qenë reagim spontan ndaj deklarimeve të Zelenskyt, por një përshkallëzim i konstruktuar në takimin në Zyrën Ovale”, ka thënë Merz të hënën në një konferencë për media të mbajtur në Hamburg, duke thënë se Evropa “duhet të tregojë tani se është në pozitë që të veprojë e vetme”.
Pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme dhe intensive për t’i rritur kapacitetet evropiane për mbrojtje, dhe alarmit për retorikën mes Moskës dhe Uashingtonit, liderët evropianë deklarojnë se angazhimi me administratën amerikane është prioritet për ta, dhe duhet të jetë pjesë e negociatave.
Merz ka thënë se ai do të avokojë dhe do të bëjë gjithçka për t’i mbajtur amerikanët në Evropë.
Si Starmer, ashtu edhe Macroni, i kanë bërë thirrje Trumpit që të mos braktisë Ukrainën, dhe të jetë më i ashpër me Rusinë, në vizitat që kanë zhvilluar ndaras në Shtëpinë e Bardhë një javë më parë.
Këto takime janë zhvilluar para debaklit të Zelenskyt në Uashington, i cili është larguar nga SHBA-ja pa nënshkruar marrëveshjen për minerale, të cilën Trump e konsideronte shumë të rëndësishme për bashkëpunimin e mëtejmë.
Trump ka thënë pas takimit se Zelensky “nuk është gati për paqe nëse Amerika është e përfshirë në të”, dhe që “mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”. /REL