Trump i kërkon Zelensky-t të godasë Moskën dhe Shën Petersburgun, SHBA jep OK për raketat ATACMS

Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të shtojë sulmet më thellë në territorin rus. Presidenti amerikan madje e ka pyetur Volodymyr Zelenskyn nëse ushtria e tij mund të godasë Moskën nëse SHBA-të do t’i siguronte armë me rreze të gjatë veprimi. Kështu raporton Financial Times duke nënvizuar se vendosmëria e Trump për të rritur…

Bota

15/07/2025 12:54

Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të shtojë sulmet më thellë në territorin rus. Presidenti amerikan madje e ka pyetur Volodymyr Zelenskyn nëse ushtria e tij mund të godasë Moskën nëse SHBA-të do t’i siguronte armë me rreze të gjatë veprimi.

Kështu raporton Financial Times duke nënvizuar se vendosmëria e Trump për të rritur presionin mbi Vladimir Putin u shpreh javën e kaluar në një bisedë që pati me Presidentin ukrainas.

Gazeta, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelensky, raportoi se presidenti amerikan e pyeti homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do t’i siguronte armë të afta për ta bërë këtë.

“Volodymyr, a mund ta godasësh Moskën? A mund ta godasësh Shën Petersburgun?”, e ka pyetur Trump gjatë telefonatës, sipas burimeve, transmeton a2cnn.

Zelensky i është përgjigjur: “Absolutisht. Mundemi, nëse na jepni armët.”

Sipas një burimi të njohur me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, vendimi i Trump për të përshkallëzuar tensionet ndaj Rusisë është për shkak të tre arsyeve: nga njëra anë, ai besonte se Putini e përçmonte, duke pretenduar se kërkonte paqe, ndërsa injoronte kërkesën e Uashingtonit për armëpushim.

Nga ana tjetër, ai vlerësoi se përdorimi i fundit i bombarduesve B-2 dhe raketave Tomahawk kundër Iranit demonstroi efektivitetin e fuqisë amerikane dhe së fundmi, ai beson se Putini do të ulet në tryezën e negociatave vetëm nën kërcënimin e një presioni më të madh ushtarak.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk në Ukrainë, në një veprim që mund të rrisë ndjeshëm presionin mbi Rusinë, sipas informacionit të cituar nga Washington Post.

Sa i përket Tomahawk-ëve, ato janë të njëjtat raketa që u përdorën së fundmi për të sulmuar objektivat bërthamore iraniane dhe, nëse do të lëshoheshin nga territori ukrainas, do të kishin aftësinë të arrinin Moskën dhe Shën Petersburgun.

Kjo çështje u diskutua të premten e kaluar, por burimet thonë se Tomahawk-ët aktualisht janë të përjashtuar nga lista e dërgesave në Kiev. Ato mund të vendosen më vonë nëse Trump dëshiron të rrisë më tej presionin negociues mbi Rusinë.

Në të njëjtën kohë, informacionet nga qarqet e Uashingtonit tregojnë se presidenti amerikan do të japë “dritën jeshile” për përdorimin e plotë të 18 raketave ATACMS me rreze të gjatë veprimi që janë tashmë në Ukrainë, duke shfrytëzuar rrezen e tyre maksimale efektive prej 300 kilometrash.

Edhe pse ATACMS nuk mund të arrijnë në Moskë ose Shën Petersburg, ato i japin Kievit mundësinë për të goditur bazat ushtarake, aeroportet dhe depot e karburantit thellë brenda territorit rus, të cilat deri më tani ishin jashtë rrezes së veprimit. Paketa e ndihmës ushtarake që është në përgatitje po shqyrton gjithashtu dërgimin e ATACMS shtesë.

Sipas informacioneve, zyrtarët e Pentagonit kanë kërkuar prej muajsh që Ukrainës t’i jepet leje për të goditur më thellë në Rusi duke përdorur ATACMS.