Trump e flak rregulloren e kamotshme për raportet SHBA-Rusi
Pikat kryesore të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë ende janë të paqarta, por ndasitë midis Evropës dhe Uashingtonit kanë filluar të shfaqen, pas një jave të një retorike të paprecedent të drejtuar ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ardhshëm…

Bota
Pikat kryesore të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë ende janë të paqarta, por ndasitë midis Evropës dhe Uashingtonit kanë filluar të shfaqen, pas një jave të një retorike të paprecedent të drejtuar ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, është pesimist lidhur me atë që aleanca e NATO-s të vazhdojë në formën e saj aktuale.
“Pas deklaratave të Donald Trumpit javën e kaluar, është e qartë që amerikanët janë indiferentë ndaj fatit të Evropës”, tha ai gjatë deklarimeve televizive pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare të dielën, duke shtuar se “jam shumë kureshtar të shoh se si ne do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit – nëse ne ende do të flasim për NATO-n në formën e saj aktuale, ose nëse duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur evropian të mbrojtjes shumë më shpejt”.
Sa shpejt kanë ndryshuar gjërat brenda tre vjetësh që nga pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Në prag të pushtimit, presidenti i atëhershëm amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Rusinë se do të paguante “një çmim të lartë” nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të dërgonte autoblinda në Ukrainë.
“E dini, ka shumë çështje që ndajnë kombet tona dhe botën tonë, por kundërshtimi i agresionit rus nuk është njëra nga to”, tha Biden. “Populli amerikan është i bashkuar. Evropa është e bashkuar. Komuniteti transatlantik është i bashkuar. Partitë tona politike në këtë shtet janë të bashkuara. E gjithë bota e lirë është e bashkuar”.
Këto supozime për unitetin dhe vendosmërinë perëndimore më nuk duket se qëndrojnë. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara javën e kaluar nisën rundin e parë të komunikimit, në të cilin u përjashtua Ukraina, duke rritur shqetësimet se Uashingtoni dhe Moska mund të përpiqen të arrijnë një marrëveshje, duke anashkaluar ukrainasit dhe partnerët e tyre evropianë.
Për më tepër, Trump duket se ka grisur një rregullore të vjetër për raportet SHBA-Rusi, duke dyfishuar sulmin ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e përshkruar atë, pa asnjë bazë, si “diktator pa zgjedhje”, dhe duke sugjeruar se ai, e jo Putini, e nisi luftën e agresionit të Rusisë kundër shtetit të tij.
Këto deklarata duket se reflektojnë narrativin e Putinit për historinë: Në një fjalim që u transmetua në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit më 2022, Putin e argumentoi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës duke përdorur gjysmë të vërteta, shtrembërime dhe gënjeshtra të pastra për të akuzuar Ukrainën dhe “kolektivin perëndimor” se e kishin detyruar Rusinë që të ndërmerrte veprime ushtarake.
Në disa aspekte, ne kemi qenë më herët në këtë situatë. Gjatë samitit me Putinin më 2018, Trump nxiti zemërim në Uashington duke sugjeruar se ai e besonte fjalën e presidentit rus më shumë sesa fjalën e agjencive të tij të inteligjencës, të cilat e kishin fajësuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016. Por, riciklimi i dukshëm i pikëpamjeve të Kremlinit nga administrata e Trumpit duket se tregon një ndasi më të thellë me aleatët e Amerikës.
Por, është e paqartë se sa do të përkthehen në politikë të Trumpit pikëpamjet e Putinit. Samiti i Trumpit me Putinin në Helsinki më 2018 shkaktoi zemërim në Uashington, me bisedime për kapitullim dhe me Trumpin që dukej se kishte pranuar që Rusia ishte e pafajshme kur bëhej fjalë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Por, ai samit, në praktikë, nuk solli asnjë ngrohje të vërtetë të raporteve mes Moskës dhe Uashingtonit. Marrëdhëniet SHBA-Rusi, përgjithësisht, mbetën në nivelet e njëjta të ulëta.
Kundërshtimet nga Kievi dhe kryeqytetet e tjera perëndimore kanë qenë të mëdha. Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një sesioni online ku u përgjigjej pyetjeve të qytetarëve, tha se përgjegjësi për luftën ka Rusia. Dhe, Ukraina ka parë një shpërthim të mbështetjes publike nga e gjitha bota në shënimin e përvjetorit të tretë të luftës.
Kështu që mbetet të shihet se si deklaratat e fundit të Trumpit për Ukrainë, do të përkthehen në politikë. Por, të paktën në nivel simbolik, qasja transatlantike e qëndrimit të bashkuar ndaj Rusisë duket më pak e sigurt.