Tribunali për UÇK’në është irritues

Ekspertë kushtetues dhe njohës të çështjeve të sigurisë thonë se krijimi i një Tribunali për UÇK'në do ta dëmtonte imazhin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare po e mendon mënyrën e themelimit të tij dhe ai mund të jetë edhe përcaktues për datën e zgjedhjeve.

Lajme

23/02/2014 22:50

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, në të cilin do të gjykoheshin pjesëtarë të dyshuar nga ish UÇK, nuk është duke u parë e pranueshme në opinionin kosovar.

Eksperti kushtetues, Riza Smaka, thotë se kjo ide është irrituese për Kosovën.

Ai ka deklaruar për KTV’në se themelimi i një tribunal të tillë do ta dëmtonte imazhin e vendit.

“Pa dyshim kjo origjinën e ka nga Serbia, e cila shkon nëpër kanalet e ndryshme me teknika të ndryshme. Do të duhej që Qeveria jonë me konsistencë dhe me rezistencë të kundërshtonte një gjë të tillë”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, po ashtu, mendon se krijimi i një tribunal të tillë do ta bënte Kosovën të vetmen në rajon me një nivel të lartë të gjyqësorit.

“Marrja e këtyre rasteve tashmë së voni mendoj që Kosovën do ta vendoste në defanzivë në përgjithësi”, ka deklaruart ai për KTV’në.

Burime të lajmi.net thonë se koha e publikimit të rezultateve nga hetimet e bëra nga Task Forca, e përbërë nga prokurorë ndërkombetarë, për dyshimet për krime lufte të shkaktuara nga UÇK gjatë dhe pas luftës 1998-1999, është afruar.

Bashkësia ndërkombëtare është duke shqyrtuar mundësitë legale për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, ndërsa siç pohohet, janë dy opsione për themelimin e tij: njëra përmes Kuvendit të Kosovës, e tjetra përmes një Rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.

Nëse vendoset themelimi përmes Këshillit të Sigurimit, thuhet se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që Kuvendi i Kosovës ta përkrahë themelimin e tij, qoftë edhe në mënyrë simbolike. Por, ajo është e vetëdijshme se përkrahja nga Kuvendi nuk mund të pritet nga legjislatura e tanishme, marrë parasysh se Kosova gjendet në një vit zgjedhor dhe çfarëdo përkrahje e tillë në Kuvend do të dëmtonte partitë politikë. Si rezultat, data e zgjedhjeve të përgjithshme do mund të ndikohet shumë për të përshpejtuar procesin e themelimit të Tribunalit.

Task Forca ishte krijuar për të hetuar deklaratat e senatorit zvicran në Këshillin e Europës, Dick Marty, për zhdukjen e personave, transplantimin e organeve dhe vepra të tjera. Marty kishte akuzuar UÇK’në për kryerjen e këtyre veprave në Kosovë dhe Shqipëri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ditë më parë është shprehur kundër kësaj ideje.

“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme  për trajtimin e cilitdo rast në vendin tonë, kur kemi parasysh gjyqtarët vendorë dhe ndërkombëtarë të EULEX`it. Në Kosovë ka mision ndërkombëtar, ka gjyqtarë ndërkombëtarë, prokurorë ndërkombëtarë, kështu që nuk ka asnjë arsye që të mendohet ndryshe”, ka deklaruar Kuçi.