Tri të vërtetat politike

Si mund të krijohet konsensusi për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Opinion

11/07/2019 15:13

Shkruan: Blerim Shala

Nuk ka tjetër fjalë për të cilën pajtohen të gjithë, në këtë politikën kosovare ndryshe krejtësisht të çakorduar, ndërsa njëkohësisht, nuk ka kush në këtë politikën vendore që di të tregojë se si mund të mbërrihet në jetësimin e saj.

Kemi të bëjmë me nocionin/ fjalën e konsensusit, i cili është kusht që Kosova të dalë mirë në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila herët a vonë do të ndodhë, me synimin poashtu të përbashkët të kryepolitikanëve të vendit, që Marrëveshja Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të bazohet mbi njhohjen formale reciproke në mes të dy shteteve.

Nuk ka pra kush në Kosovë që merret me politikë që nuk flet për konsensusin. Madje, ky konsensus ka edhe njësinë matëse, e cila i referohet zatën edhe një procesi legal të ratifikimit të Marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra, duhet të sigurohet qysh tash mbështetja e së paku tetëdhjetë deputetëve në Kuvendin e Kosovës, nëse dëshirohet që pala kosovare të ia arrijë qëllimit në bisedimet me autoritetet më të larta të Serbisë.

Puna e numrave në Kuvendin e Kosovës, realisht, nuk ka qenë kurrë e tillë në këtë historinë e demokracisë parlamentare, që tek ne ka nisë me zgjedhjet e para të përgjithshme të mbajtura në vitin 2001.

Qeveria e Kosovës nuk e ka tash e sa kohë  (në vijim të bojkotit të ‘Listës Serbe’ të institucioneve qendrore të Kosovës), shumicën e kërkuar prej 61 deputetëve.

Por, në anën tjetër, duket që as opozita parlamentare nuk po arrinë dot tek ky numër ‘magjik’, pa të cilin nuk mund të shkarkohet Qeveria dhe të provokohen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Loja me numra në Kuvend ka bërë që seancat parlamentare thuaja në parim, të mbyllen në mënyrë të panatyrshme, sepse nuk ka as Quorum për vendimmarrje, për çkadoqoftë në fakt.

Në këto rrethana pra kur madje ky numër prej 61 deputetësh në përkrahje të një kauze, të Qeverisë apo të opozitës, del si i paarritshëm, duket një fantastikë shkencore të sendërtohet ai konsensusi për dialogun që do të bashkonte në një vend vullnetin dhe votën e 80 deputetëve.

Brenda Kuvendit të Kosovës, diçka e tillë objektivisht, nuk arrihet dot.

Kjo është një e vërtetë që nuk ka nevojë të votohet fare. Askund.

Një e vërtetë e dytë që duhet të njihet dhe të respektohet prej të gjithë politikanëve tonë përkon me rolin që tash e sa vjet e ka Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe faktori ndërkombëtarë në përgjithësi.

Nuk është rendi që ne të presim që edhe një herë, siç ka qenë rasti në vitet e luftës, por edhe në atë periudhën para bisedimeve të Vjenës për definimin e statusit të Kosovës, diplomacia amerikane të përfshihet drejtpërdrejtë në menaxhimin e procesit të krijimit të konsensusit në mes të politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Janë disa arsye pse nuk mund të pritet më një rol i këtillë amerikan apo edhe ndërkombëtarë në Kosovë. Ai kryesor njeh faktin që ne jemi shtet i pavarur, dhe që përgjegjësia sipërore për të gjitha zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, i takon institucioneve të Kosovës dhe politikës kosovare në përgjithësi. Pastaj, viteve të fundit ka pasë raste kur edhe këshillat dhe sygjerimet krejtësisht dashamirëse të Washingtonit  (të dy Administratave të fundit), për lidershipin kosovar, janë kthyer mbrapshtë, apo nuk janë marrë fare parasyshë.

Natyrisht, Ambasada amerikane në Prishtinë ende ka vullnet të na ndihmojë në të gjitha aspektet e mundshme, por jo duke marrë përgjegjësinë për politikën kosovare dhe për vendimmarrjen e saj.

Këto dy vërteta të bëra së bashku, çojnë tek një konkludim apo një e vërtetë të tretë, që njeh një mënyrë të vetme të mundshme për ta ndërtuar ‘godinën e konsesusit’.

Kjo e vërtetë nënkupton që në Kosovë të organizohet një dialog i mirëfilltë politik, në mes të liderëve institucional dhe opozitarë, me një Agjendë të qartë që prej fillimit, sipas të së cilës, jo vetëm që do të diskutohej dhe trajtohej çështja e një pajtimi sa më gjithpërfshirës për domosdoshmërinë e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë, por poashtu, do të shqyrtohej edhe koha kur në Kosovë do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e reja parlamentare.

Me këtë Agjendë, dhe me pak vullnet politik në vend, do të mund të sendërtoheshin interesat jetik të politikës kosovare.