Tri I-jat e forta të Partisë së Fortë

Partia e Fortë synon të marrë pushtetin në Kosovë. Kryetari i saj, Visar Arifaj tha se ka ndërruar qasje në paraqitjet publike, pasi që pjesëtarët e saj duan të duken sa më afër qytetarëve. Partia e Fortë parasheh divizione të reja për FAK-un dhe gjithashtu përshëndet “drejtësinë selektive” të Gjykatës Speciale.

Lajme

29/04/2014 21:51

Partia e Fortë synon pushtetin total dhe për këtë ka një program me tre shtylla, Investim, Integrim dhe Integritet.

Kryetari, Visar Arifaj, i rrethuar me nënkryetarët legjendarë, në emisionin Rubikon të KTV-së, teksa po prezantonte programin e tij qeverisës, tha se partia e tij dhe ai kanë ndërruar qasje, në mënyrë që të jenë sa më afër qytetarëve.

“Ne çka synojmë është pushteti total, pushteti i Kosovës, prandaj nuk ka luajtur rol të madh pushteti në Prishtinë. Ajo është më shumë rol mbikëqyrës, për të parë se gjërat shkojnë siç ne dëshirojmë”.

Është kjo qasja që të jemi sa më afër qytetarit. Të mos duket më një hero i glorifikuar, një lider i paprekshëm, por një lider që është më modest në paraqitjet publike.

“Thjesht, mundohemi që të mos e paraqesim superioritetin që kemi ndaj qytetarëve”.

“Jemi munduar që të jemi sa më kompaktë. Programi jonë përbëhet nga 3 shtylla, ose tri I-ja, investimi, integrimi dhe integriteti”.

“Investimet kanë të bëjnë me investimet në qytetarin, në imazhin dhe në investimet publike”.

“Integrimet janë synimet që kemi pasur ne, integrimet indoevropiane dhe euroatlantike”.

“Integriteti në fakt nuk kemi ndonjë program për të, por na është dukur se tingëllon mirë dhe kemi vendosur ta kemi”.

Duke folur për formimin e FAK-ut, nënkryetari Dren Maliqi tha se Partia e Fortë do të formojë divizione të reja , siç është FAK TAP, FAK OF dhe FAK IU.

Ai gjithashtu tha se planifikojnë që ta privatizojnë edhe ushtrinë, por edhe të blejnë KFOR-in në Kosovë, në mënyrë që për 2 vjet Kosova të anëtarësohet në NATO.

Partia e Fortë e sheh si gjë pozitive krijimin e Gjykatës Speciale. Dren Maliqi tha: “Dua të përshëndesim faktorin ndërkombëtar që dëshiron drejtësi selektive. Vërtetë është për të përshëndetur”.