Tri dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit, brezi i ri nën hijen e të ’90-tave
E lindur një vit pas marrëveshjes që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Ella Lubiq nga Mostari i përket një brezi që ka trashëguar pasojat e saj: shkollat e ndara, tensionet e vazhdueshme politike dhe traumat e prindërve. E rritur në këtë qytet, i cili gjatë viteve të luftës në të ’90-at ishte…
Lajme
E lindur një vit pas marrëveshjes që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Ella Lubiq nga Mostari i përket një brezi që ka trashëguar pasojat e saj: shkollat e ndara, tensionet e vazhdueshme politike dhe traumat e prindërve.
E rritur në këtë qytet, i cili gjatë viteve të luftës në të ’90-at ishte skenë e konflikteve të ashpra, Ella ka ndjekur shkolla që edhe sot i ndajnë nxënësit sipas përkatësisë etnike.
“Na imponohej të përcaktoheshim për njërën apo tjetrën anë. Por, unë isha rebele dhe nuk pranoja, sepse më dukej sikur do të hiqja një pjesë të vetes dhe të rrënjëve të mia”, thotë 29-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.
Bosnje dhe Hercegovina shënon sot përvjetorin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila më 21 nëntor, 1995, i dha fund luftës, pas gati katër vjetësh.
Përveçse ndali gjakderdhjen, marrëveshja i solli këtij vendi një sistem arsimor të ndarë etnikisht dhe të politizuar, me plane të ndryshme mësimore dhe interpretime të ndryshme të ngjarjeve të luftës.
Simbol i këtyre ndarjeve brenda shkollave është bërë modeli i njohur si “dy shkolla nën një çati”, i përhapur në pjesën qendrore dhe jugore të vendit.
Ato janë shkolla ku, me programe të ndryshme mësimore, nxënësit boshnjakë ndjekin mësimin në njërën pjesë të ndërtesës, ndërsa nxënësit kroatë në pjesën tjetër.
Duke kujtuar vitet e shkollës, Ella thotë se nuk mësohej shumë për luftën e viteve ‘90, e as për të dhëna konkrete si Marrëveshja e Paqes e Dejtonit.
“Gjithçka ishte shumë sterile. Përmendej vetëm kur ndodhi lufta dhe kur u nënshkrua Dejtoni, dhe kaq. Nuk flitej se kush ishte fajtor e kush i pafajshëm, ndërsa për krimet nuk mësuam asgjë. Ndoshta, kjo edhe ishte mirë, sepse si shoqëri nuk kishim kapacitet t’u qaseshim atyre temave”, thotë Ella.
Por ndarjet, sipas saj, ndiheshin në çdo hap.
“Sidomos për mua, si fëmijë nga një ‘martesë e përzier’. U rritëm sikur në mjegull, me imponimin e ndarjeve dhe të idesë se i përkisnim njërit apo tjetrit grup etnik. Vetëm në fakultet e kuptova se Marrëveshja jonë e Dejtonit nuk ishte demokratike, edhe pse ne e pranonim si realitet në të cilin jetonim, pa e vënë në pikëpyetje”, thotë Ella.
Ajo sot punon si profesoreshë e psikologjisë dhe sociologjisë në një shkollë të mesme në Mostar.
“Deri vonë, nuk isha e vetëdijshme se sa shumë më kishte formësuar ai sistem, por në një mënyrë të mirë… sepse kokëfortësia dhe rebelimi mbetën tek unë dhe më motivuan të luftoj për gjërat e duhura. Sot, jam krenare që nuk u dorëzova, por shumë nga bashkëmoshatarët e mi ‘u thyen’ nga presioni i shoqërisë”, shprehet Ella.
Ajo vlerëson se situata në Mostar – qytetin që ishte bërë sinonim i ndarjeve etnike në Bosnje dhe Hercegovinë pas Marrëveshjes së Dejtonit – është pak më e mirë sot.
“Mendoj se kjo ndarje e detyruar vjen kryesisht nga sistemi. Spitalet tona janë të ndara, shkollat, kopshtet dhe gjithçka që mund të mendosh…”, thotë ajo.
Për shkak të një moratoriumi të Këshillit të Evropës, nxënësit e shkollave fillore në Bosnje dhe Hercegovinë nuk mësuan për luftën deri në vitin 2018, ndërsa tekstet e sotme shkollore e interpretojnë atë ndryshe-ndryshe.
Njëzetvjeçari Alosha nga Banjalluka thotë se sistemet arsimore në Bosnje dhe Hercegovinë përfaqësojnë versione dhe perspektiva të ndryshme të luftës së viteve ‘90.
Por, shton se të rinjtë janë gjithashtu të ekspozuar ndaj ndikimeve më të mëdha, nga burime të tjera që nxisin përçarje.
“Unë besoj se një doktrinë shumë më e fortë ka mbizotëruar menjëherë pas luftës dhe se ajo është ende e pranishme në disa zona rurale. Megjithatë, në zonat urbane nuk ndihet një polarizim i tillë”, thotë Alosha për Radion Evropa e Lirë.
Ai beson se shkollat e ndara nuk i kanë formësuar të rinjtë në një mënyrë të keqe, por as nuk i kanë bashkuar ata.
“Duhet të ketë një kurrikulë unike që do t’u ofronte të rinjve një pamje unike të ngjarjeve historike dhe kontekstit shoqëror. Megjithatë, në klimën aktuale politike, dyshoj se një program i tillë mund të ketë sukses”, thotë 20-vjeçari.
Në publikimin “Politikat arsimore në Bosnje dhe Hercegovinë pas Dejtonit: Arsimi laik në nofullat e etno-politikës”, Stefan Elezoviq i përshkruan shkollat si “inkubatorë të ideve klero-nacionaliste, aspiratave separatiste dhe qëndrimeve diskriminuese të politikave lokale”.
“Ky është botëkuptimi i rrymave aktuale politike në pushtet, të cilat i shndërrojnë klasat e shkollave në poligone politike”, thotë Elezoviq, i cili është student doktorature në Fakultetin e Shkencave Politike në Banjallukë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se sistemi arsimor në Bosnje dhe Hercegovinë dhe e gjithë politika kulturore i nënshtrohen etno-politikës, e cila u imponon të rinjve tema nga e kaluara e luftës.
“Jemi në vitin 2025. Këto tema lidhen me shekullin e kaluar dhe nuk u interesojnë, pavarësisht se sa u imponohen nga politika zyrtare”, thotë Elezoviq.
Të rinjtë, sipas tij, janë të gatshëm për dialog dhe ndryshim, por problemi është se përpjekjet e tilla bllokohen nga një sistem që nuk i pranon ata që janë kritikë.
“Ne kemi një politikë që është e orientuar drejt përçarjes dhe ajo zbatohet tash e 30 vjet. Ata që nuk përshtaten me të, që mendojnë ndryshe, mund të kërkojnë të ardhme vetëm jashtë vendit. Vërej se brezat e rinj nuk janë të prirë drejt radikalizmit. Megjithatë, nuk janë as të gatshëm të jenë aktivë në proceset demokratike… Janë apolitikë”, thotë Elezoviq.
Tri dekada pas përfundimit të luftës, shumë hulumtime tregojnë se brezat e rinj rriten në komunitete etnikisht homogjene, të izoluar dhe me shumë pak njohuri për “të tjerët”.
Që prej vitesh, bashkësia ndërkombëtare ka paralajmëruar se instrumentalizimi politik mund të çojë në një izolim edhe më të madh të fëmijëve.
Sistemi arsimor funksionon në mënyrë të tillë që fëmijët nuk kanë mundësi të vizitojnë e të njohin bashkëmoshatarët e tyre nga komunitetet e tjera, thuhet në një hulumtim për dialogun ndërkulturor që Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, publikoi në vitin 2021.
Megjithatë, disa të rinj të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se po i thyejnë kufijtë e imponuar imagjinarë.
Mia, 22 vjeçe nga Sarajeva, thotë se rrallë e prek temën e luftës në biseda, por se ajo ngrihet vazhdimisht në narrativët politikë.
“Të rinjtë nuk merren me këtë – gjë që është shumë mirë, sepse unë kurrë nuk kam qenë e padëshiruar diku. Problemi është se shkollat mësojnë ndryshe, por kjo nuk është edhe aq e rëndësishme, sepse është edhe edukimi në shtëpi, domethënë mënyra se si ndikojnë prindërit”, thotë Mia.
Sipas saj, të rinjtë janë lodhur duke u shtyrë në të kaluarën dhe duke u frikësuar nga “zhurma e armëve”.
“Çdo të dytën ditë dëgjojmë në lajme histori për luftën dhe kërcënime se mund të ndodhë prapë. Ne që nuk e kemi përjetuar luftën, jemi po aq të frikësuar, sepse dëgjojmë vazhdimisht për të”, thotë Mia.
Të rinjtë thonë se e shohin zgjidhjen në aktivizëm dhe interesa të përbashkëta, duke pohuar se urat, të cilat u shkatërruan para se të lindnin ata, mund të ndërtohen në nivel individual.
“Brezi im nuk e ka problem nëse dikush flet kroatisht, boshnjakisht, serbisht, shkruan me alfabet latin apo cirilik… E gjithë kjo është imponuar nga mendimet e politikanëve ose prindërve”, thotë 23-vjeçari Mak Ademoviq nga Sarajeva.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta se sa të rinj janë larguar nga Bosnje dhe Hercegovina në vitet e fundit, hulumtimet tregojnë se një në dy të rinj mendon të largohet përkohësisht ose përgjithmonë. Ndër arsyet kryesore janë paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike.