Treshi ‘përsheshi’ i LDK-së

Në Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po akumulohen pakënaqësitë, të cilat sipas një burimi të besueshëm të lajmi.net brenda kësaj partie, shumë shpejtë do të bëhen të njohura edhe për publikun e gjerë.

Lajme

02/07/2014 16:08

Përballë kritikave dhe presionit të brendshëm, përveç liderit të partisë, Isa Mustafa, janë vënë tani edhe dy kryetarët e degëve të kësaj partie në Gjilan dhe Podujevë, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. 

Pakënaqësia është rritur tek kryetarët e degëve dhe një pjesë e deputetëve të rinj të cilët medoemos vlerësojnë se reformat në LDK janë nevojë urgjente për të dalë nga situata e krijuar.

“Një pjesë e anëtarëve të Kryesisë së LDK-së nuk e kanë harruar humbjen në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, pavarësisht përpjekjeve të liderit të partisë, Isa Mustafa, që ta devijojë vëmendjen tek koalicioni që bëri krye në vete me AAK-në dhe Nismën për Kosovën”, ka thënë të mërkurën për lajmi.net një zyrtarë i lartë i LDK-së, me kushte anonimiteti.

Ky burim ka thënë se humbja e LDK-së me 8 qershor e ka një adresë kryesore, e që është Isa Mustafa, ndërsa përgjegjës për shkeljen e statutit të partisë, përveç Mustafës, sipas tij janë përgjegjës edhe Agim Veliu dhe Lutfi Haziri. 

“Brenda partisë ka pakënaqësi të mëdha. Pakënaqësia më e madhe është se Isa Mustafa me krahun e tij, duke u marrë me koalicionin paszgjedhor, po përpiqet të lëmë në harresë humbjen e LDK-së përballë një partie që e ka qeverisur me plot skandale Kosovën gjatë këtyre shtatë vjetëve. Pra, humbja përballë PDK-së është humbje e thellë që nuk mund të kalohet lehtë”

“Pakënaqësia është shtuar me vendimin krye në vete për koalicion paszgjedhor dhe për t’ia dhanë pozitën e kryeministrit njeriut (Ramush Haradinajt) që e ka sulmuar gjatë gjithë fushatës si lider të dështuar gjatë qeverisjes me Prishtinën dhe të vjetruar për të qeverisur Kosovën”.   

Sipas këtij burimi, i afërt me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, pakënaqësitë në LDK po vërshojnë kohën e fundit edhe nga degët e saj nëpër Kosovë, dhe se menjëherë pas certifikimit të rezultateve, priten zhvillime të rëndësishme që mund ta shpëtojnë ose përçajnë sërish partinë. 

“Kryetarët e disa degëve të LDK-së nëpër Kosovë tashmë kanë paralajmëruar prishjen e koalicioneve nëpër komuna, nëse Qendra nuk merr përsimer reformat dhe tërheqjen nga koalicioni me kryeministër të një partie tjetër”.

Sipas këtij burimi, këta kryetar degësh (emrat e njohur për redaksinë) kërkojnë që LDK të rishyrtojë edhe njëherë pozitën e kryeministrit, që sipas tyre nuk do të ishte Isa Mustafa, por një tjetër kandidatë nga partia e dytë në vend, dhe jo nga partia që është radhitur e katërta në zgjedhjet e fundit.

“Presioni është tepër i madh dhe do të del së shpejti në sipërfaqe, pasi kryetarët e këtyre degëve, të mëdha, duke parë pozitën e Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit, me të drejtë konsiderojnë se janë injoruar krejtësisht nga lidershipi aktual, në veçanti nga lideri Isa Mustafa”.

Sipas burimit të lajmi.net, brenda LDK-së ka figura publike që mendojnë ndryshe nga Mustafa, Haziri e Veliu, të cilët një pjesë e Kryesisë së partisë, sipas këtij burimi, ka filluar t’i etiketojë si “treshi – përsheshi i LDK-së”.

“LDK nuk është për përshesh, prandaj pavarësisht shurtpamësisë dhe lakmisë që ka ‘treshja’ për pozita, në parti ka shumë figura që shohin më larg, që kanë parime dhe që duan që ‘fryma rugoviane’ të ruajë vlerat qoftë duke qëndruar në opozitë qoftë duke e drejtuar shtetin, për të mirën e qytetarëve të saj”.