“Trepça”, reagon pas akuzave të Sindikatës për mospagesën e Trustit: Nuk ka pranuar asnjë nga ftesat tona për marrëveshje

Sindikata e Pavarur e  Minatorëve të Trepçës, ka njoftuar se lëndët e iniciuara në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, lidhur me mospagesën e trustit pensional nga ndërmarrja “Trepça”, kanë filluar të shqyrtohen. Teksa Sindikata, përmes një njoftimi ka deklaruar se ka pasur shpresa se këto çështje do të zgjidheshin në favorin e saj, meqë e drejta,…

Lajme

23/10/2025 16:16

Sindikata e Pavarur e  Minatorëve të Trepçës, ka njoftuar se lëndët e iniciuara në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, lidhur me mospagesën e trustit pensional nga ndërmarrja “Trepça”, kanë filluar të shqyrtohen.

Teksa Sindikata, përmes një njoftimi ka deklaruar se ka pasur shpresa se këto çështje do të zgjidheshin në favorin e saj, meqë e drejta, sipas saj është në anën e punëtorëve që tash e gjashtë vite janë dëmtuar nga mospagesa e trustit. Megjithëse, sipas informatave zyrtare të SPMT-së, gjykata është duke i refuzuar kërkesat e tyre, “me arsyetimin se ne nuk kemi të drejt me kërku mbrojtje gjyqësore për realizimin e kërkesave tona për pagesën e kontributit pensional nga punëdhënësi!”.

Mirëpo menjëherë pas kësaj  ka ardhur edhe reagimi edhe nga vetë ndërmarrja “Trepça”, nga ku thanë se pavarësisht ftesave të përsëritura përmes e-mailit me Sindikatën e Pavarur, nuk kanë  hasur asnjëherë në gatishmëri apo përgjigje pozitiv për të zhvilluar dialog konstruktiv.

“Ne kemi propozuar disa herë që të arrihet marrëveshje e drejtpërdrejtë, pasi shumat në fjalë përbëjnë rrezik serioz për likuiditetin financiar të ndërmarrjes, dhe janë tërësisht të papërballueshme për Trepçën në kushtet aktuale ekonomike. Përkundër kësaj, sindikata nuk ka pranuar asnjë nga ftesat tona për marrëveshje”, thuhet në reagim.

Po ashtu nga kjo ndërmarrje thuhet se kanë vepruar në mënyrë ligjore, kjo pasi asnjëherë nuk janë kundërshtuar kërkesat e punëtorëve.

“Sa i përket pretendimeve se ndërmarrja po kundërshton kërkesat e punëtorëve dhe po kërkon nga gjykata që palës kundërshtare t’i ngarkohen shpenzimet gjyqësore, sqarojmë se Trepça Sh.A. ka vepruar në mënyrë tërësisht ligjore. Ndërmarrja ka kundërshtuar kërkesat e avokatëve me arsyetimin se ata nuk kanë legjitimitet aktiv, bazuar në dispozitat e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, dhe Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, theksohet në reagim.

Derisa nga kjo ndërmarrje kanë theksuar se sa i përket shpenzimeve procedurale, ato rregullohen nga Ligji për Procedurën Kontestimore.

“Në fund, Trepça Sh.A. apelon që të mos bëhen deklarata që nxisin pakënaqësi apo përçarje në mesin e punëtorëve. Në këtë drejtim, Trepça Sh.A. është e përkushtuar që të mbrojë interesin publik dhe pasurinë e saj, duke respektuar në tërësi ligjin dhe duke garantuar që asnjë vendim i saj të mos dëmtojë stabilitetin ekonomik të ndërmarrjes dhe sigurinë e punëtorëve të saj”. /Lajmi.net/