“Trepça” në gjendje të rëndë financiare

Drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka thënë se vazhdimisht është i angazhuar për ta përmirësuar gjendjen në gjigantin ekonomik kosovar, porse problemet e shumta, sidomos ato financiare, edhe më tutje vështirësojnë menaxhimin e kombinatit.

Lajme

16/07/2019 08:42

Gjendja në gjigantin kosovar “Trepça” edhe pas ndryshimit të statusit të saj vazhdon të jetë e njëjtë, me probleme të mëdha financiare, me vështirësi në menaxhim dhe me rënie të vazhdueshme të prodhimit.

Drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, i tha “Zërit”, të dielën, se vazhdimisht është i angazhuar për ta përmirësuar gjendjen në gjigantin ekonomik kosovar, porse problemet e shumta e sidomos ato financiare edhe më tutje vështirësojnë menaxhimin e kombinatit.

“Por ka shenja të përmirësimit, bile edhe të rritjes së prodhimit. Ka probleme, sidomos financiare, punëtorët i marrin pagat me rregull, ka ndoshta vonesa, por ende nuk ka ndodhur që punëtorëve t’u mbetet borxh një pagë. Për muajin qershor punëtorët do t’i marrin pagat javën që vjen”, ka thënë drejtori i ri menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi.

I pyetur për shitjen e zinkut nga menaxhmenti i “Trepçës” në veri, nga minierat e Crnacit dhe Bellobërdos, Ibrahimi tha se nuk ka mundur të kontaktojë me manxhmentin në veri, pasi që, siç tha ai, ka qenë i zënë me “punë të tjera”.

“Nuk kam kontaktuar me ata të veriut, nuk kam informacione se menaxhmenti i ‘Trepçës’ në veri e ka qitur në shitje zinkun. Kemi shumë punë, jemi të angazhuar maksimalisht për ta kthyer prodhimin që ka qenë në rënie dhe besoj se për një kohë të shkurtër do të rritet prodhimi. Që tani ka shenja të rritjes së prodhimit në ‘Trepçë’”, tha ai.