Trendafilova vie në Kosovë, policia njofton se do të bllokohen disa rrugë në intervale të ndryshme kohore

Nga sot deri më 14 maj në Kosovë do të qëndrojë për vizitë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Gjatë vizitës së saj dyditore në Kosovë, ajo pritet të mbajë dhe konferencë për media të martën. Me këtë rast, Policia e Kosovës, ka njoftuar se në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare,…

Lajme

12/05/2025 10:33

Nga sot deri më 14 maj në Kosovë do të qëndrojë për vizitë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Gjatë vizitës së saj dyditore në Kosovë, ajo pritet të mbajë dhe konferencë për media të martën.

Me këtë rast, Policia e Kosovës, ka njoftuar se në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”,thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me vizitën e Ekaterina Trendafilova nuk janë dhënë detaje në lidhje me takimet që do të z zhvillojë ajo gjatë qëndrimit në Kosovë.

Për herë të fundit, Trendafilova qëndroi në vendin tonë në tetor të vitit të kaluar.

Por për vizitën e saj në Kosovë, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se kjo vizitë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës së tyre çlirimtare.

“Vizita e Kryetares së Gjykatës Speciale më 13 maj në Prishtinë është provokim i qëllimshëm dhe fyerje ndaj luftës sonë çlirimtare!”, kanë shkruar nga OVL-ja e UÇK-së.

“13 Maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo Familje Dëshmori”.Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar. E themeluar për të ndjekur vetëm një palë,vetëm UÇK-në,duke anashkaluar krimet e tmerrshme serbe, ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike. Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, po përballen me pengesa të rënda në mbrojtje, trajtim të pabarabartë dhe qëllim të qartë për t’i dënuar që më parë se të mbarojë procesi. Kosova nuk ka për çka të turpërohet! Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së./Lajmi.net/