Trendafilova në Kosovë, OVL-UÇK: Vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë – Nuk ka guxim të përballet me opinionin publik
OVL-UÇK ka reaguar ndaj vizitës së Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila do të mbahet pa praninë e qytetarëve dhe mediave. Për këtë OVL-UÇK ka thënë se është fyerje e rëndë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit si dhe sipas tyre është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia…

Lajme
OVL-UÇK ka reaguar ndaj vizitës së Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila do të mbahet pa praninë e qytetarëve dhe mediave.
Për këtë OVL-UÇK ka thënë se është fyerje e rëndë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit si dhe sipas tyre është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike, shkruan lajmi.net.
“Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër!”, ka shkruar OVL-UÇK në reagimin e tyre.
Komunikata e plotë:
Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike.
Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër!
Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët.
Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, poashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut.